NGA ROBERT RAKIPLLARI
Emisioni “Koha për t’u zgjuar” i Bashkim Hoxhës është prej 25 vjetësh në mediat shqiptare dhe nga këto, 15 vjet në televizionin “News 24”, formati më jetëgjatë dhe besnik i publikut. Mund të thuhet që më tepër sesa një markë ose logo gazetareske, ky emision është emblemë e një zëri popullor në ekranet shqiptare.
Si të ishte njëri prej tyre, Bashkim Hoxha ka shoqëruar besnikërisht mëngjeset e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi për dy dekada e gjysmë, duke u bërë thuajse një mik i shtëpisë. Nismëtar i padiskutueshëm i formatit “vox pop” në media, ai e ka përfshirë popullin e thjeshtë si zë direkt në emisionin e tij, duke demokratizuar ekranin më shumë dhe më herët se gjithë të tjerët në spektrin e mediave. Kjo është edhe merita e parë dhe kryesore e këtij emisioni, që ka shërbyer në njëfarë mënyre si zëdhënës i drejtpërdrejtë i popullit të thjeshtë në ekran.
Së dyti, përmes këtij mekanizmi të përfshirjes së drejtpërdrejtë të publikut në emision, ai jo vetëm që u ka dhënë njerëzve mundësi për t’u shprehur, por ka kryer edhe një mision e shërbim të rëndësishëm publik, si një lloj barometri për të matur opinionet e tyre. Ky emisioni i përditshëm na ka shërbyer të gjithëve për të njohur dhe kuptuar shqetësimet dhe opinionet e njerëzve të zakonshëm, duke sjellë reagimet dhe mendimet e hapura dhe të lira të publikut, në kushtet e anonimatit, gjë që i ka mbajtur këto opinione edhe më të vërteta dhe të besueshme. Na ka shërbyer edhe neve në media dhe në forume publike si një instrument matës i temperaturës së opinionit për çështje apo tema që me të vërtetë i shqetësojnë njerëzit dhe si një mënyrë për t’i kuptuar dhe ndjekur më tej ato si problematika përgjithësuese, jo thjesht të veçuara.
Së treti, vetë Bashkimi si një personazh i tri dekadave dhe i dimensioneve të ndryshme, gazetar, moderator, shkrimtar, i ka dhënë këtij formati një strukturë të konsoliduar dhe vijueshmëri të pandërprerë. Në sajë të kësaj koherence të ruajtur dhe sinqeritetit të perceptuar në vazhdimësi, “Koha për t’u zgjuar” mbetet emision emblematik për njerëzit e thjeshtë me një nerv dhe ndjeshmëri qytetare, që kërkojnë të dëgjohen ose që duan të dëgjojnë se çfarë realisht mendojnë të tjerët si ata në këtë vend. Garantuesi i suksesit të këtij formati ka qenë pa dyshim vetë Bashkimi me profilin e tij njerëzor, por edhe reflektues e gjithëpërfshirës.
Së fundi, jetëgjatësia e këtij emisioni në sajë të ndjekjes që ka ruajtur në 25 vite, për mua si drejtor i këtij televizioni, është shumë domethënëse, për të konfirmuar një lloj tjetër modeli suksesi, që pa bujë e trumbetime, ruan me konsistencë jo vetëm numrat e audiencës, por edhe besnikërinë e tyre të pandërprerë. Shumë më tepër sesa moderator apo gazetar, me emisionin e tij “Koha për t’u zgjuar”, Bashkimi ka ditur të mbetet një mik i popullit, në një kohë kur shumë të tjerë, edhe pse të suksesshëm, janë armiqësuar me një pjesë të publikut, ose shihen me mosbesim prej tij.
Kjo mund të jetë ndoshta edhe vlera më e lartë profesionale për një njeri të medias dhe vetë institucionin mediatik ku ai punon. Në këtë pikë, besoj se edhe bashkëpunimi jetëgjatë i Bashkim Hoxhës me “News 24” flet pikërisht për këtë vlerë të përbashkët që ai ndan me këtë institucion, që i drejtohet me thjeshtësi dhe vërtetësi publikut, pa iu imponuar asnjëherë atij, në frymën më të hapur dhe transparente të mundshme.
Urimet më të mira Bashkimit dhe stafit të “News 24” për bashkëpunimin e frytshëm dhe jetëgjatë me këtë emision!