Me rastin e 22 marsit, së ditës së marrjes së pushtetit nga PD-ja 30 vite më parë, ka pasur edhe një reagim ish-deputetja Rudina Hajdari. Duke komentuar ndryshimet brenda PD-së, që së fundmi ishte dorëheqja e Lulzim Bashës, Hajdari me anë të një statusi në rrjetet sociale del kundër rikthimit të Berishës në krye të PD-së.
“…mbas një seri humbjesh dhe vendimesh tejet të gabuara e me kosto për PD e vendin, është një mundësi e mirë për ta rikthyer PD në misionin e saj fillestar, si mbartëse e shpresës për shqiptarët. Por që kjo të ndodhë duhet që çdokush, nga anëtari më i thjeshtë e mbi të gjitha drejtuesit e saj aktualë, në Parlament e jashtë tij, të heqin dorë nga zakoni i përdorimit të PD në funksion të interesit personal apo familjar”, shprehet Hajdari.
Statusi i plotë
Në 22 Mars 1992, 30 vite të shkuara, Partia Demokratike simbilizonte shpresën e shqiptarëve.
Për herë të parë mbas 47 vitesh në pushtet, Partia e Punës u zëvendësua nga një parti e cila deri ato ditë i përkiste studentëve, intelektualëve, shqiptarëve të thjeshtë e plot me ëndrra për të ardhmen.
Fatkeqësisht, vit mbas viti, PD e humbi rolin e saj si përfaqësuese e shpresës duke arritur kulmin e shpërfytyrimit të saj në vitet e fundit. Dorëheqja e Lulzim Bashës dje nga posti u kryetarit, mbas një seri humbjesh dhe vendimesh tejet të gabuara e me kosto për PD e vendin, është një mundësi e mirë për ta rikthyer PD në misionin e saj fillestar, si mbartëse e shpresës për shqiptarët.
Por që kjo të ndodhë duhet që çdokush, nga anëtari më i thjeshtë e mbi të gjitha drejtuesit e saj aktualë, në Parlament e jashtë tij, të heqin dorë nga zakoni i përdorimit të PD në funksion të interesit personal apo familjar.
PD do të reflektojë shpresë vetëm nëse rivihet jo në funksion të një njeriu por në funksion të shoqërisë. Ky është një moment që kërkon maturi, mençuri dhe dashuri për Shqipërinë.
Vendi ka shumë nevojë për një opozitë të tillë, të ndershme, pa ngarkesa nga e kaluara, me energji dhe vizion te qartë për të ardhmen.
Rrugët e Shqipërisë kanë javë që ushtojnë nga zërat e qytetarëve të inatosur me qeverinë Rama.
Ata duan alternativë e që PD të jetë e tillë duhet të shkëputet nga avazet e vjetra dhe të ringrihet me forca dhe energji të reja. Kjo i duhet shqiptarëve dhe Shqipërisë!