Zenel Hoxha
RIFORMËSIMI I PD
Demokratët nuk mund të gabojnë përsëri.
Lulzim Basha mbylli një kapitull të errët dështimi në opozitarizmin dhe demokracinë shqiptare. Veprimi duhet përshëndetur, për faktin se i jep frymëmarrje Partisë Demokratike dhe hap një proces që mund të sjellë kristalizimin e një alternative qeverisëse të besueshme.
Koha e humbur që nga 25 prilli, kur duhet të kishte filluar realisht ky proces riformësues i Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi, është një kohë e humbur dhe që nuk kthehet. Megjithatë, tani nuk është më koha të shohim pas, por vetëm para. Dhe PD duhet ta bëjë këtë në plotë kuptimin e fjalës.
Teksa PD është sot e sakatuar, fryma opozitare ndaj regjimit të Edi Ramës është më e fortë se kurrë. Partia Demokratike është tani në udhëkryq historik. Riciklimi i figurave që e kanë konsumuar kohën e tyre do të ishte krim. Do ishte një tjetër mundësi e humbur përpara energjisë rinore që ngriti kryet ndaj keq-qeverisjes dhe klientelizmit. Një tjetër neglizhim ndaj diasporës. Një tjetër grusht në fytyrë ndaj vrullit dhe aktivizmit qytetar që kërkon frymë dhe vizion të ri në politikën shqiptare.
Demokratët nuk mund të gabojnë përsëri. Sot duhet bërë e qartë se dorëheqjen e dha Lulzim Basha, por ai që preu biletën e lamtumirës nga politika është Edi Rama dhe klika e tij e atrofizuar nga korrupsioni.