Përfundon mbledhja e Komisionit të Rithemelimit në selinë e PD. Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar se për çfarë është folur në mbledhje. Ai tha se iu kushtua problemeve organizative të partisë.
“Mbledhja e Komisionit të rithemelimit të PD iu përkushtua tërësisht problemeve organizative të Kuvendit të ardhshëm dhe problemave të tjera organizative të PD-së. U diskutua gjerësisht për listat me të cilat do votohet gjatë këtyre javëve për kryesitë, për kryetarët dhe tani disponohen lista të vitit 2019, të qershorit të vitit 2021 dhe të referendumit të 18 dhjetorit 2022.
Lista do u dërgohet kryesive të PD-së që do jenë ato që do japin viston përfundimtare për listën që do votojnë anëtarët e PD-së. Kam besim të plotë se ekziston vendosmëri për të bërë gjithçka që çdo anëtar i PD-së të votojë, të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e degës, për kryetarin e grup seksionit. Në mbledhje u diskutuan probleme të tjera dhe me këtë rast dhe njëherë dua të garantoj çdo anëtar të PD-së se formulari i shpërndarë nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç pajisjes me dokumentet e PD-së dhe jo për qëllime votimi. Këtu duhet të jemi shumë të qartë. U ra dakord që çdo proces për të cilin një anëtar i PD-së ka objeksion t’i nënshtrohet procesit të përbashkët të auditit, çka do të thotë përputhshmërisht me statutin. Në këtë diskutim të zgjeruar diskutuam për zgjerimin e spektrit të organizatave diskutuam për zgjerimin e organizatave të bashkëpunimit me organizata të tjera përveç organizatave partnere, ky bashkëpunim do jetë lokal dhe qendror. PD hapet, është një hap i mëtejshëm drejt hapjes së kësaj partie. U diskutua dhe u ngrit grup pune për të hartuar udhëzuesin e ngritjes së degëve të PD në emigracion dhe diasporë. Pra, ishte një mbledhje kushtuar problemeve organizative të partisë”, deklaroi Berisha.