Qytetarët e Vlorës dhe përfaqësues nga shoqëria civile, kanë dalë sërish në protestë kundër projektit të sheshit të Flamurit.
Ky është tubimi i dytë i zhvilluar për këtë projekt pas protestës të së dielës. Sipas qytetarëve, projekti në sheshin e Flamurit tjetërson historinë
Ata kërkojnë transparencë për projektin dhe fondet publike për realizimin e saj. Protestuesit kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri sa të arrihet shembja e objekteve të ndërtuara në këtë shesh.
Kjo nuk është hera e parë që pranë monumentit të pavarësisë janë mbledhur qytetarë të shumtë vlonjatë, por dhe të ardhur nga qytete të tjera të vendit.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile kryeministri Edi Rama jo vetëm nuk prishi godinën disakatëshe ndërtuar prej vitesh në sheshin historik, por ndërtoi dhe çibanë të tjerë që sipas tyre është terminali i autobusëve. Përveç kësaj thonë se është larguar nga ky vend një nga simbolet e tij, 4 Topat.
Protestuesit janë shprehur se nuk do të lejojnë atë që po ndodh këtu duke kërkuar madje dhe përgjegjësi për faturën ndërtimin e terminalit të autobusëve.