Deputetja demokrate Dhurata Çupi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor. Çupi shprehet se Shqipëria nuk i ka kushtet për të zhvilluar këtë industri.
Ajo thekson se dy janë shkaqet pse është kundër kësaj ideje. E para sipas saj lidhet me faktin që qeveria ka dhënë prova se është e paaftë të kontrollojë territorin dhe e dyta korrupsioni.
Çupi shton se legalizmi i kanabisit për qëllime mjekësore është një projekt anti-kombëtar që mund të pasurojë disa njerëz dhe do dëmtojë interesat e vendit.
Deklarata e plotë e Dhurata Çupit
Shqipërinë e kanabisit e kemi jetuar dhe e dimë që është një projekt shkatërrimtar.
- Dhjetëra të rinj të vrarë e të zhdukur nga trafiku i drogës.
- Mijëra të tjerë të larguar për të mos qendruar në një vend ku kanabisi bën ligjin.
- Mijëra hektarë tokë e papunuar.
- Paraja e zezë bën ligjin dhe mbyt punën e ndershme.
Shqipëria nuk i ka kushtet për industrinë e kanabisit për qëllime mjekësore. Nuk kam asnjë paragjykim, por janë dy arsyet kryesore pse kam qenë dhe jam kundër kësaj ideje të vjetër të Edi Ramës.
- Qeveria e tij ka dhënë prova se është e paaftë të kontrollojë territorin.
- Korrupsioni me këtë qeveri është përhapur në çdo qelizë të shtetit.
Legalizimi i kanabisit për gjoja qëllime mjekësore është një projekt antikombëtar! Ai mund të pasurojë disa njerëz që e sponsorizojnë këtë ligj, por ai do të dëmtojë interesat e Shqipërisë!
Faktise partnerët europianë janë të angazhuar me luftën në Ukrainë, nuk do të thotë se ata mund ta pranojnë këtë hap të Edi Ramës, që cënon rëndë çdo përpjekje për integrimin europian të vendit.
U bëj thirrje kolegëve të Partisë Socialiste të mos heshtin! Të ngrenë zërin dhe votën e tyre kundër ligjit “Rama”, që këmben Shqipërinë Europiane me Shqipërinë si Kolumbia e Europës.