Eshtrat e gjetura në zonën e Fushë Kuqes, në Kurbin rreth një muaj më parë, i përkasin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj.
Siç edhe dyshohej, pas kryerjes së testimit të ADN-së, është provuar tashmë se eshtrat janë të 16-vjeçarit që u zhduk 7 vite më parë.
Dyshohet se 16-vjeçari nga Mamurrasi është grabitur dhe më pas vrarë, kjo pasi eshtrat kanë rezultuar të dëmtuara me mjete të forta.
Eshtrat u gjetën në 3 prill në Fushë Kuqe të Kurbinit nga një banor i zonës, pas djegies së disa shkurreve.
Atë kohë nëna e tij, Luljana Gjonaj kishte ngritur alarmin pasi djali i saj mbante me vete një orë “Rolex” dhe disa bizhuteri që kapnin një vlerë prej 10 milionë lekësh të vjetra dhe kishte frikës se mos i bënin keq.
“Djali është zgjuar në mëngjes dhe më tha se kishte aktivitet atë ditë shkolla e tij. Mori dhe makinën e vëllait të tij dhe doli. Më tha se do të vij shumë shpejt. Ka qenë data 18 maj kur ai është larguar dhe nuk është kthyer. Kërkuam gjithë natën, duke pyetur njerëzit tanë për të, por me asnjërin ai nuk kishte pasur kontakte dhe nuk e kishin parë. Te nesërmen kemi njoftuar menjëherë policinë dhe kemi bërë edhe denoncimin për humbjen e djalit”, u shpreh në atë kohë për mediat nëna e 16- vjeçarit.
“Djali kur është larguar ka pasur bizhuteri dhe një orë tepër të shtrejtë në dorë Roleks të cilat kapnin një vlerë 10 milion lekë të vjetra. Unë dyshoj se djalin ma kanë rrëmbyer për ti marrë bizhuteritë. Kemi shkuar disa herë në polici, por mua më ka humbur besimi tek blutë e Kurbinit, pasi djali ka dy muaj i humbur dhe ne nuk e dimë nëse ai është gjallë apo vdekur”, tha ajo.