Nga Bujar Leskaj
𝐊𝐚𝐥𝐞𝐧𝐝𝐚𝐫𝐢 𝐢 𝐋𝐮𝐟𝐭𝐞𝐬 𝐬𝐞 𝐕𝐥𝐨𝐫𝐞𝐬
𝟓 𝐪𝐞𝐫𝐬𝐡𝐨𝐫 𝟏𝟗𝟐𝟎 – 𝟑 𝐬𝐡𝐭𝐚𝐭𝐨𝐫 𝟏𝟗𝟐𝟎
𝑁𝑗𝑒 𝑓𝑒𝑚𝑖𝑗𝑒 𝑞𝑒 𝑓𝑙𝑒 𝑟𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡, 𝑝𝑜𝑟 𝑛𝑗𝑒 𝑘𝑜𝑚𝑏 𝑞𝑒 𝑓𝑙𝑒 𝑣𝑑𝑒𝑠!
𝐼𝑠𝑚𝑎𝑖𝑙 𝑄𝑒𝑚𝑎𝑙 𝑉𝑙𝑜𝑟𝑎
Sivjet është 102 vjetori i Luftës së Vlorës, një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, por edhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush.
Lufta zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë.
Në mënyrë të përmbledhur më poshtë është kronologjia e Luftës së Vlorës:
> 21 janar 1920: Kongresi i Lushnjës, kongres, në të cilin u vendos sovraniteti i shtetit shqiptar.
> Në 10 mars 1920 përfaqësuesit e Vlorës, të entusiazmuar nga vendimet e Kongresit të Lushnjes, formuan Komitetin “Mbrojtjes Kombëtare” dhe vendosën që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë.
> Pushtuesi italian në 9 maj bëri arrestime midis organizatorëve të rezistencës dhe në 16 maj shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Vlorë.
> Pushtuesi më 18 maj 1920 burgos patriotët Jani Minga, Muço Sharra, Dom Mark Vasa, etj.
> Në 18 maj në Mesaplik zhvillohet një mbledhje e madhe, ku vendoset të luftojnë me Italinë.
> Pas 3 – 4 ditëve mbahet një tjetër mbledhje në Dërras të Beunit, ku morën pjesë krahina e Mesaplikut dhe e Kudhësit. Edhe këtu u kërkua të luftohej me pushtuesin.
> Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” i bëri thirrje parësisë së Vlorës të mblidheshin në një kuvend në Barçallla të Dukatit në 29 maj 1920.
> Kuvendi i Barçallasë vendosi një zëri fillimin e luftës deri në shuarje të njerës palë. Për drejtimin e luftës kuvendi zgjodhi një këshill kombëtar prej 30 vetash nga i cili doli Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 vetash: Osmën Haxhiu- kryetar dhe anëtarë: Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj.
> Për drejtimin e luftës u emërua edhe Shtabi i Luftës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Luftës u emërua major Ahmet Lepenica, i cili në qershor kalon nënkomandant i përgjithshëm, pas emërimit të Qazim Koculit Komandant i Përgjithshëm.
> Më 3 qershor 1920 nga Beuni, Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare”, i drejtoi komandës së trupave pushtuese në Vlorë një ultimatum ku kërkonin tërheqjen e trupave italiane deri në 4 qershor, të cilin e përcolli te komanda italiane Mehmet Selim Mallkeqi.
> Pasi nuk erdhi asnjë përgjigje, mbrëmjen e 4 qershorit forcat shqiptare sulmuan dhe çarmatosën të gjitha postat e karabinerisë dhe karabinerët i mbajtën rob.
> Më 5 qershor 1920 sulmohen njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të cilat u shpartalluan plotësisht. Italianët lanë 700 të vrarë dhe 1500 robër.
> Më 9 qershor 1920 Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare” i dërgon komandës italiane një promemorie të dytë ku kërkohej largimi i pushtuesve.
> Komanda italiane nuk iu përgjigj promemories, prandaj Komiteti dhe Shtabi i Luftës vendosi të sulmojë Vlorën më 11 qershor.
> Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, pas malit Barçalla në Dukat, malit të Beunit në Vajzë, në fazën e dytë të luftimeve, rreth datës 15 qershor e vendosi selinë e tij në Drashovicë. Drashovica shpallet prefekturë dhe Vlora nënprefekturë që varej nga Drashovica. Prefekt emërohet Qazim Kokoshi. Neki Xheneti u emërua kryetar i Gjykatës. Avdul Kuçi, emërohet Prokuror i Përgjithshëm.
> Në 22 korrik 1920 forcat shqiptare sulmojnë për herë të dytë Vlorën.
> Sulmi i forcave shqiptare që shpërtheu i furishëm më 22 – 23 korrik 1920 e detyroi ushtrinë italiane të kapitullonte.
> Më 17 gusht 1920 repartet e xhandarmërisë shqiptare hynë në Vlorë dhe morën në dorëzim administratën.
> Më 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.)
> Më 3 shtator u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Vlonjatët e festuan gjithmonë me po atë rëndësi që i jepej edhe 28 nëntorit 1912 dhe kishin te drejtë.
3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.
> Flamuri i fitores u vendos të ngrihet po atë ditë, mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi. Sa të mençur e largpamës patën qenë ata burra.
Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920!