Nga Bujar Leskaj
Popullit i ka ardhur në majë të hundës! Varfëri ekstreme, rritje galopante e çmimeve, braktisje masive e Shqipërisë! Një sekt në pushtet që vetëm vjedh djersën, pasurinë, të ardhmen e shqiptarëve, që bëhet zëdhënës i Beogradit e i Vuçiç e luan me të ardhmen europiane të Shqipërisë me “Open Balkan”. Kundër një sekti që keqqeveris, pa përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie, janë vetëm disa nga arsyet se përse shqiptarët duhet të ngrihen në protesta.

Një nga drejtuesit e rinj të PD hodhi idenë e rifillimit të protestave, të cilat i kërkojnë qytetarët në muajin shtator!
Por përse duhet të humbasim kohë? Përse protestat duhen shtyrë për në vjeshtë? E njëjta gjendje do të jetë, e njëjta varfëri, e njëjta krizë, ndoshta edhe më keq se ç’është tani… Qytetarët janë të gatshëm qysh sot!

Ndodhën procese shumë të rëndësishme e radikale këta muaj në Partinë Demokratike, në jetën e saj të brendshme, në mënyrën e organizimit e të funksionimit.
Kryesia e re e PDSH u zgjodh, u zgjodh Këshilli Kombëtar, nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm, sekretarët funksionalë…
Organizimi në bazë i partisë është shumë i rëndësishëm!
Çfarë presin të zgjedhurit e rinj dhe deputetët për të zbritur në bazë, të takohen me strukturat, me demokratët e thjeshtë, të forcojnë strukturat, të shmangen mbledhjet formale në seksione e grupseksione dhe të preket fryma e ndryshimit?
Foltoret e zhvilluara gjatë gjithë këtyre muajve ishin të nevojshme, por jo të mjaftueshme për t’u organizuar PD. Këtu duhet të fillonte një analizë e thellë për shkaqet që çuan në humbjen e 25 prillit 2021. Dhe një analizë e tillë do të dëshmonte për masakrën zgjedhore të sektit Rama që vodhi e deformoi vullnetin e lirë të shqiptarëve, por do të ndihmonte edhe në organizimin e partisë.