HomeKryesoreKujtimi i 2012-ës dhe Tropoja si epiqendra e turizmit 10 vite më...

Kujtimi i 2012-ës dhe Tropoja si epiqendra e turizmit 10 vite më pas. Të huaj dhe vendas mësyjnë Valbonën

spot_img

Nga Mina HYSA
Tempraturat e larta më shtynë që veç disa ditëve plazh të vendos të “arratisem” familjarisht në mal. Këto janë mundësitë tona modeste dhe me aq do bëjmë! Mendimi i parë që më erdhi në mendje ishte Valbona. E kuptohet, kur bëhet fjalë për këtë vend, nuk kam nevojë për udhërrëfyes apo agjenci turistike. Ndryshe nga herët e tjera me këtë bukuri të natyrës do të prezantoja dhe fëmijët! Vitet e fundit kisha bërë një shkëputje, por u surprizova kur në kalatën e Komanit pashë dyndje masive qytetarësh të cilët shumica dërrmuese do të udhëtonin drejt Tropojës dhe një pjesë tek Lumi i Shalës. E shtuna e 6 gushtit ishte dita më e ngarkuar e trageteve “Alpin” dhe “Ferry Line” si rrallëherë. Sipas rrëfimeve të punonjësve të tragetit, por dhe të lokalit në zbritje në Fierzë, një fluks të tillë për këtë vit nuk ishte parë, por rrallë ishte përsëritur edhe në vitet e kaluara! Nisja vonoi gjysëm ore sepse fluksi ishte i madh ndaj dhe trageti Alpin ishte mbushur plotë e të tjerë me makina prisnin në radhë në tunel të vinte tjetri! Edhe pse më parë ishte nisur një tjetër sërish kishte prani të madhe qytetarësh me mjetet e tyre që gjendeshin në tunel!
Pse zgjodha Valbonën?
Me këtë bukuri të natyrës së Tropojës jam i lidhur shpirtërisht dhe për faktin se, me shumë kolegë të mi fal bashkëpunimit të ngushtë të drejtuesve vendorë kemi mundur të sjellim në Tiranë dhe më gjerë përmes shkrimeve, reportazheve, kronikave televizive në mediat e shkruara, audiovizive dhe portale atë çfarë realisht ofron kjo zonë e ndërthurur me mikëpritjen dhe traditat më të mira që vendasit kanë përcjellë ndër shekuj kur presin mikun.
Një meritë të jashtëzakonshme për kthimin e vëmendjes dhe promovimit të Valbonës si bukuri e Tropojës dhe si pasuri e kësaj zone, por që iu përket gjithë shqiptarëve ka Rexh Byberi, por, si kryetar i Komunës. Këtë meritë në fakt Rexha nuk e ka sot, por një punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim ka bërë kur ishte kryetar i komunës së Margegajt. Ishte koha kur nga Tropoja në Tiranë e me gjerë përcilleshin lajme jo të mira e flitej vetëm për pasiguri, e kjo dhe per fajin e ne mediave! E vërteta ishte krejt tjetër atje. Nuk e njihja Rexhën, por përmes një mikut të përbashkët ulemi dhe me komunikon idenë se si mund të promovonim Valbonën, sepse ishin ngritur bujtinat e para dhe pritshmëria për të pasur turistë nuk ishte ajo që kishin.
Në mos gabofsha nga kujtesa, ishte viti 2012! Për të siguruar transportin dal të gjej një furgon, e për fat këmbët më çojnë tek Skënder Rexha, i cili kishte një jetë në timon dhe bënte linjën Tiranë-Bajram Curri. Mjeti që drejtonte Skënderi kishte 17 vende. Nis të komunikojë me kolegët, por për hirë të së vërtetës edhe tek ta kishte një lloj stepje, por megjithatë arrij që të bëj 14 veta që të shkonim në Valbonë. Ishte fillim marsi, ditën që u nisëm nga Tirana binte shumë shi, edhe në Tropojë borë, por kryekomunari Byberaj na siguroi që rruga deri në Valbonë ishte hapur dhe se ishte me nënprefektin Nuredin Ahmetajn i cili sigurisht dhe ai kishte shprehur gatishmërinë për të dhënë më të mirën dhe kishte bërë një punë mbresëlënëse në këtë drejtim. Pasi mbërritëm në Valbonë fal një pritje siç dinë ta bëjnë malsorët akomodohemi tek hotel “Fusha e Gjësë”, ose tek Mirashi siç e thërrasin vendasit pronarin e saj! Pritja ishte e ngrohtë saqë të gjithë ne u rehatuam dhe u ndjemë si në shtëpi. Të nesërmen çuditërisht aty ku kishte rënë 2 metra borë dhe një ditë më parë vazhdonte të binte, dielli ishte dhe më i fortë së në gusht! Ku u ngritëm në mëngjes na dukej vetja si në përralla, e kjo i shtyu kolegët të dilnin të shijonin bukurinë, por dhe të bënin punë. Gazetarja Alma Çupi me operatorin Ben Haxhiajn ishin ngritur të parët dhe gjendeshin në terren edhe pse sasia e borës së rënë ishte e madhe! Vizituam thuajse të gjitha ato bujtina që ishin ngritur në atë kohë dhe u njohëm me çfarë ato ofrojnë, por dhe me kërkesat e tyre me qëllim zhvillimin e turizmit!
Në Tiranë u kthyem të “armatosur” me informacion dhe në mediat ku punonim sollëm realitetin e atjeshëm të hotelierëve, situatës në terren, bashkë më pamjet nga bukuritë përrallore të zonës! Kur u transmetuan kronikat, u ndesha në një nga baret në kryeqytet teksa njerëzit kishin ngulur sytë në një prej televizioneve që po transmetonte kronikë dhe komunikonin me njëri-tjetrin duke u shprehur: “o sa mirë qenka! Nuk paska probleme!”. E kujtoj shpesh këtë moment dhe nga ai vit ndihem dhe unë banor i Valbonës. E njëjta gjë me kolegët ndodhi edhe në vitet në vijim të cilët ishin të ftuarit e Rexh Byberit, por kësaj here ndryshe nga viti 2012, ishin edhe ata që interesoheshin të ishin në Valbonë, sepse donin të shtronin penën dhe shkruanin rreth kësaj bukurie të Tropojës dhe Shqipërisë! E në këtë vizitë timen në Tropojë dhe Valbonë, hotelierëve dhe pronarëve të bujtinave ku pjesën më të madhe i njoh, iu risolla në fakt këtë të vërtet të cilën nuk e rrëzon dot. Dua të theksoj faktin se me kolegët kam udhëtuar drejt Valbonës dhe dy herë në vitet në vijim ky ishim të ftuarit e dy ish-kryebashkiakëve Agron Demushi dhe Besnik Dushaj ku dihet që mikpritja është tipike e zones siç dinë malsorët ta bëjnë.
Fluks turistësh për Valbonë dhe Tropoja si epiqendra e turizmit malor
Të shtunën e 6 marsit do të nisesha drejt Komanit ende pa gdhirë. Në stacionin pranë karburant “Gazhelit” teksa prisnin furgonin kishin mbërritur para nesh dhjetra të tjerë. Për çudi, vetëm njëri ishte shqiptar. Të tjerët ishin të huaj nga kombësi të ndryshme, të pa organizuar si grup, të cilët shumica e tyre po shkon drejt Valbonës! Ishin gjithë energji, qeshnin ende pa gdhirë, gëzimi shihej në sytë e tyre sepse do udhëtonin drejt alpeve shqiptare! Teksa i pashë shumë, mendova se do të ishin të organizuara nga agjenci turistike, por jo, ata ishin maksimumi dy veta bashkë dhe udhëtonin drejt Valbonës, alpeve të Tropojës dhe një pjesë do shkonin edhe në Theth. Rrugës ende pa mbërritur në Koman pa zbritur poshtë te ura, dy turistë të huaj çift i kërkuan shoferit të zbrisnin të “Vila Franceze”, por dhe dy të tjerë që gjendeshin në zonë në këmbë i kërkuan t’i merrnin deri tek kalata e trageteve në Koman! Të huajt ishin kudo në malësi! Meqë kisha planifikuar të udhëtoja me tragetin “Alpin” dhe isha herët u ndala poshtë kalatës dhe mëngjesin do ta konsumoja tek bujtina “Kulla e vjetër” në Koman. Çfarë të shihje; aty ishin akomoduar vetëm turistë të huaj, por dhe agjencitë turistike ndalonin turistët të konsumonin dicka aty! Interesimi i qytetarëve për të shijuar bukuritë e alpeve ishte i madh. Të shtunën trageti Alpin ishte plotë. Kishte nga ata që kishin ardhur me mjetet e tyre, por sytë më zunë emrat e të paktën 4-5 agjencive turistike të cilët me autobuzët e tyre po transportonin drejt Valbonës turistët. Trageti ishte kthyer një qytet me vete! Aty ndesha dhe Kelën shoqen time të Fakultetit e cila kishte ardhur familjarisht me bashkëshortin, fëmijët dhe vëllain për të shijuar bukuritë e Valbonës. Gëzimi dhe hareja i përshkoi të gjithë në target duke kënduar dhe kërcyer e duke fiksuar në fotografi momentet më të bukura përgjatë udhëtimit derisa sa zbritën për të shkuar në destinacionet e tyre!
Rrugëtimi përmes Fierzës në Bajram Curri deri në Valbonë do të ishte relaksues teksa do të akomodoheshim në bujtinën “Quku i Valbonës”!. Çfarë të shihje! Një mrekulli. Qetësi absolute në luginë mbi të cilën ngjiteshin malet e thepisura. Gjithçka e organizuar mirë dhe me mikëpritjen tipike të zonës së malsisë! Në bujtinën “Quku i Valbonës” shumica  e të akomoduarëve janë të huaj kryesisht gjermanë, holandezë, italianë etj. Kisha një telefonatë më Alfredin para së mbërrija dhe tek bujtina ishte Skënderi që qendronte gjithë kohën që të kujdesej nga gjithsecilit dhe me mirësjelljen që e karakterizonte kujdesej që të gjithë të mbeteshin të kenaqur, qofshin këta shqiptarë apo të huaj. “Qëllimi ynë është që të gjithë të mbeten të kënaqur. Ne ecim me parimin; “shtri këmbët sa ke jorganin”, pranojmë të akomodojmë aq sa mund të iu gjendemi si duhet që të largohen me dëshirën për tu kthyer sërish tek ne!”-thotë Skënder Selimaj nga nga bashkëpronarët e bujtinës Quku i Valbonës. Të nesërmen bëj një vizitë në gjithë zonën. Konstatoj faktin që jo vetëm të huajt dhe agjencitë turistike shqiptare, por në zonë gjendeshin me dhjetra makina dhe autobuzë me targa të Kosovës të mbushur dhe ardhur në Valbonë për të shijuar bukurinë dhe kulinarinë e kësaj zone. Edhe kapacitetet akomoduese ishin rritur dhe kjo mundësonte strehimin e sa më shumë turistëve krahasuar me vite më parë. Valbona është zona e cila tashmë ka mundësuar që me mijëra e mijëra turistë të vërshojnë drejt Tropojës dhe kthehen prej andej të kënaqur, por është dhe zona nga ku të ardhurat për pushtetin vendor janë baza për investimet që kryhen në zonë dhe krahina të tjera të Tropojës. Njësia Administrative Tropojë ka dhe mjaft bukuri të tjera që duhen vizituar si Ceremi, Curraj i Epërm, etj, të cilat duhen vizituar dhe shijuar. Nga ana e Bashkisë Tropojë çdo taksë qytetare është përdorur me efikasitet duke iua kthyer qytetarëve në investim dhe përfitim për ta.

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular