Kampione Europe tre muaj më parë, duke bërë krenar një komb të tërë, por tani Evangjeli Veli rrezikon të zhvishet nga mealjet dhe titulli i fituar në kampionatin europian, pasi ka rezultuar me doping. Dy medaljet e arta dhe një e argjendtë e marrë në 29 maj janë ‘ngrirë’ tashmë nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, pasi pak ditë më parë Veli ka marrë rezultatin e analizave të dopingut.
Stanazololi është substanca e ndaluar, gjurmë të të cilit janë gjetur në Testin A. Sipas Qendërs Ndërkombëtare të Testimeve elementët e gjetur gjatë testit janë konsideruar doping. Stanazololi është një ndër elementët më të fuqishëm të dopingut, që stimulojnë forcën e sportistit. Ndaj Velit janë marrë masa pezullimi të përkohshme ndërkombëtare por edhe nga federata shqiptare e peshngritjes, deri në pritje të Testit B që tashmë është kryer nga sportistja pasi ka patur afat deri më 3 gusht.
Rezultati i testit B del në muajin shtator dhe nëse do të nxjerrë të njëjtën përgjigje, atëherë gjithcka do të jetë përfundimtare dhe Evangjeli Veli si përsëritëse, rrezikon deri në 8 vite pezullim, pasi edhe në vitin 2018 ka rezultuar pozitive ndaj dopingut sërish, me steroid anabolik. 30 vjecares do t’i duhet më pas të dorëzojë 3 medaljet e marra, duke i dhën praktikisht fund karrierës pasi pezullimi me të cilin mund të përballet është 8 vjecar.