Nga Fatmir Guda
Opozita po shkon në Kuvend me dy projekte për Reformën Territoriale duke i dhënë Edi Ramës alibinë për t’i hedhur poshtë që të dyja draftet me pretendimin e mos përfaqësimit të një qëndrimi unik opozitar për ta lënë siç i leverdis me 61 numurin e bashkive, sipas ndarjes aktuale, që e favorizon atë për t’i fituar në tavolinë zgjedhjet lokale.
Edhe flitet pastaj për negociata për tu paraqitur me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023, për bashkëpunim opozitar apo të tjera gjepura, pas të cilave u rrijnë fshehur demokratëve dhe shqiptarëve, në konseguencë të plotë vetëm të axhendave të tyre personale.
Thënë thjesht, mesa duket interesi i qytetarëve për nevojën jetike të ribërjes së hartës së bashkive dhe rregullimit të ligjit për administrimin vendor as që është fare në refenenë e mazhorancës po e po, por mesa duket as të ligjvënësve opozitarë, të cilët nuk po e lënkan dot mënjanë sherrin dhe pragmatizmin e tyre politik për t’i dhënë fund karagjozllëkut me kungulleshka “unë jam për 94 bashki po ti? Për 97. Po pse për 97? Po sa? 94! Po pse për 94? Po sa? 97 ….”
Rithemelimi në vënd të gjetjes së konsensusit me përfaqësuesit e opozitës në komisionin përkatës për Reformën Territoriale, ndërsa përcjell nga hyrja kryesore për bisedime Edi Palokën në takim me Gazmend Bardhin, nga ana e pasme e dëshirës për dialog dërgon Bylykbashin dhe Këlliçin të depozitojnë në Kuvend propozim më vete për të njëjtën reformë.
Dhe cili është produkti? Në seancë parlamentare nga një projekt konsensual i unifikuar pozitë-opozitë që duhet të paraqesin, gjasat janë të shkohet me tre syresh: një “rilindja”, një PD zyrtare dhe një “rithemelimi”.
Po të jetë puna për reformë të njëanshme, të tillë e kishim atë që miratoi mazhoranca PS-LSI më 2014, por ja që thelbi i një reforme kombëtare është tek gjetja e një kompromisi sa më të gjerë me qëllim që ajo ti rezistojë kohës. Dhe në këtë frymë uroj shumë që deputetët sidomos përfaqësia e opozitës në ditët dhe orët që mbeten të priren nga vullneti pozitiv që ligjin e ri territorial-administrativ të mos e shndërojnë as në arenë përleshjesh apo vendosje shkopinjsh në rrota, as në një pazar të rëndomtë për interesa të vogla elektorale të një filan grupi deputetësh apo partish politike.







