Janë publikuar afatet e dorëzimit të kandidaturave për t’u bërë pjesë e procesit të primareve në Partinë Demokratike, ku pritet të përzgjidhen emrat më të mirë për të kandiduar më pas në zgjedhjet lokale.
Përmes një njoftimi për mediat, PD bën me dije se për bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, të gjithë personat që duan të garojnë në primare do të kenë kohë deri më 6 nëntor ora 20:00 të dorëzojnë kandidaturën e tyre.
Ndërsa për bashkitë e tjera të vendit, afati përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave është data 8 nëntor deri në orën 20:00
Më 13 nëntor, një ditë pas protestës kombëtare, dokumentet e aplikimeve do t’i kalojnë Kryesisë së PD-së për vlerësimin e kandidaturave dhe lançimin e kandidatëve që do të marrin pjesë në këtë proces.
Njoftimi i Partisë Demokratike:
Partia Demokratike prezanton spotin e primareve: Afati për prezantimin e kandidaturave për Bashkitë Tiranë, Durrës dhe Elbasan deri më 6 nëntor, për të gjitha bashkitë e tjera deri më 8 nëntor.
Partia Demokratike po zhvillon për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë, procesin më demokratik të përzgjedhjes së kandidaturave më të mira të cilët do të përfaqësojnë logon e saj në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Me këtë rast, PD është e hapur për të pritur çdo personalitet të fushave të ndryshme për të garuar me qëllimin e vetëm, ku simpatizantët dhe anëtarët do të vendosin me votë kandidatin që do të përfaqësojë komunitetin e tyre.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidatit për primare për bashkinë Tiranë, Durrës dhe Elbasan është data 6 nëntor ora 20:00. Dhe për të gjitha bashkitë e tjera është 8 nëntor, ora 20:00.
Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim pasi dokumentacioni do i kalojë Kryesisë së Partisë Demokratike për vlerësimin e kandidaturave dhe është data 13 nëntor kur Kryesia e PD bën lançimin e kandidatëve.