Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një takim të mundshëm me presidentin e Serbisë në Paris.
Në një videomesazh në facebook, Kurti njofton se” nesër herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron”.
Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, Kurti thotë se ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje.
“Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër” thotë Kurti
Kryeministri i Kosovës thotë se në tryezë janë dy propozime.
“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”.