Nga Ilirjan Taga
Nuk u bindët as sonte? Nuk e keni kuptuar akoma qëllimin e revolucionit? Akoma mendoni se ju thirri në shesh për të rrëzuar Ramën? Po si? Si do ta rrëzonte? Cila ishte shenja që ju kishte dhënë?
Mirë, të rinjtë, ata që kanë lindur diku pas 90-ës, që i kanë me të dëgjuar heroizmat e Saliut, por dhe ju që i keni jetuar, edhe juve nuk ju duket e parë ajo që po jetoni?
Ç’fatkeqësi! Fatkeqësi nëse edhe pas të sotmes do të prisni për thirrjen e rradhës për të manifestuar numrat në Tiranë
Po or po, shumë ishit. Sa të duash ishit. Madhështor mitingu. I paparë. Por…
…të hënën Rama kthehet në zyrë, bashkë me shpurën e hajdutëve të vet. Saliu u rikthehet konferencave për shtyp e foltoreve fshat më fshat e lagje më lagje, do të publikojë fotot e manifestimit dhe do bërtasë për primaret. Po, do ta bëjë rezil Edi Ramën dhe do flasë pa emra për oligarkët. Nuk do të harrojë Lulbravën e as Alibashën. Do të qajë hallin e fëmijve tuaj, ndërsa biri a bija e dikujt prej jush do jetë mbi gomone.
Do të shprehet i ngazëllyer për pjesmarrjen e paparë në protestë nga ipadi me bythën në divanin e butë dhe dhomën e kondicionuar. Gëzim do shprehë dhe në tiktok.
Se gëzim ka…
Është i vetmi që e di të vërtetën dhe që po arrin qëllimin e revolucionit që e nisi dhe po e bën me ju, kapjen e opozitës.
Njëlloj si në vitet 90. Luftë pa kompromis ndaj çdo kundërshtari, ndaj çdo të djathti tjetër, ndaj çdo antikomunisti. Njëlloj si atëherë i shpall të gjithë tradhëtarë, të shitur, të korruptuar, deri kur t’i nënshtrohen. Kur t’i nënshtrohen e t’i binden, të gjitha pështyrjet ndaj tyre i kapërdin, e nëse nuk i nënshtrohen, përdor çdo mjet kundër tyre, çdo mjet.
Ky ishte qëllimi i vetëm i revolucionit tek i cili besuat, KAPJA E OPOZITËS, jo duke e forcuar opozitën, por duke shkatërruar çdo opozitë që nuk i është nënshtruar. Ju vazhdoni të gëzoni të qenit shumë e të qenit shumicë dhe vazhdoni të kontribuoni në këtë shkatërrim deri sa asnjë zë opozitar jashtë rreshtit të Saliut të mos mbesë.
Atëherë, kur opozita të jetë Saliu, atëherë non-grata stepet, se non-grata do të jetë opozita. E vetmja shpresë për kë është i shpallur.
Ndoshta një ditë do ta shikoni dhe ju se qëllimi nuk është rrëzimi i Ramës. Jo se nuk do, ju siguroj që do dhe do shumë, por se e di që nuk ia del dot. Ndoshta një ditë do ta kuptoni se qëllimi është zaptimi i opozitës dhe vënia në rreshtin e vet të të gjithë opozitarëve për të qenë i vetmi opozitar. Këtë e ka objektiv që e mendon të arritshëm, me shpresën tek ju, tek besnikëria juaj
Uroj shumë ta kuptoni shpejt. Sot vërtetë ishit shumë. Disa nga ne nuk ishim se mund të ishit edhe më shumë. Imagjinoni sikur gjithë ai uragan të përdorej drejtë. Shumë shqiptarë të tjerë do të na bashkoheshin, se do të na besonin, se hallet tona, të demokratëve, janë edhe hallet e tyre…