Nga Pol Pogba te Digo Zhota, pa harruar Kanten e Uajnaldumin, të cilëve sapo u është bashkuar Sadio Mane. Janë të shumtë kampionët që nuk do të marrin pjesë në Kupën e Botës që nis më 20 nëntor në Katar, me ndeshjen e parë që do të luhet mes vendësve dhe Ekuadori
Duke u rikthyer te tema kryesore, mungesat, janë dëmtimet e rënda që na privojnë nga yjet e këtij sporti. Disa syresh e kishin fjetur mendjen prej kohësh, e të tjerë si polaku Drongovski u detyruan t’i përulen fatit të keq. Mes tyre Franca duket si më e gjymtuar në rang yjesh. Didie Deshamps duhet të bëjë pa Pogbanë, që e menaxhoi veten keq duke shtyrë afatet e një operacioni që duhej bërë me kohë. Mesfushori pason homologun Kante, që prej tetorit u mundua të shërohej nga një problem në tendina. Kimpembe dhe Knkunku iu shtuan së fundi listës, ku për pak sa nuk u fut edhe Benzema që po shërohet nga problemi muskulor.
BRAZIL- GJERMANI – Duket si finalja e 2014-ës, por është vetëm një dyshe tjetër e cila ka mungesë yjesh. Timo Verner penalizon sulmin e Hansi Flikut, që duhet ta zgjidhë pa pykë ekuacionin e formacionit ku nuk do të mund të bëjë pjesë as Marko Rojs që nga turnetë e mëdha ka pasur gjithmonë një lloj “alergjie”. Hall të tillë nuk ka Tite që nga bollëku ka lënë në shtëpi Firminon, teksa ka qenë i detyruar të lërë jashtë Kutinjon dhe Artur Melon për arsye dëmtimi. Nëse duhet të vëmë në dukje një mungesë të madhe, atëherë mund të përmendim pa drojë atë të Toni Krosit. Gjermani vendosi vetë të mos grumbullohej më për t’iu përkushtuar me mish e me shpirt Realit të Madridit.
PROBLEME TË VOGLA – Holandës do t’i mungojë Uajnaldum, por cilësia e “Tulipanëve” është e lartë edhe pa veteranin e Romës. Anglia humbi “krahët” për shkak të lëndimeve të Xhejmsit dhe Çiluellit, teksa snoboi me dëshirë Tomorin. Spanja do të bëjë pa Ojarzabalin, Kepën dhe të dëmtuarin e fundit Gaja, ndërkohë që Luis Enrike ka lënë me vullnet të plotë jashtë liste De Gean, Ramosin dhe Tiago Alkantarën. Edhe Argjentina, duke humbur Korrean, humbet cilësi alternativash e të njëjtin efekt do të ketë në ekipin e Skalonit edhe mungesa e Niko Gonzalesit.
GATI PËR TË SHNDRITUR – Hiroki Ito është kolona e Japonisë, që ndoshta nuk ka cilësinë e edicioneve të mëparshme, por mund të thotë fjalën e saj falë disiplinës. Ito është “samurai i fundit” me të cilin rivalët do të hasen, por mbrojtësi i Shtutgartit me të majtën e tij të edukuar ka shumë armë për t’iu kundërvënë. Michal Skoras është anësori i modestëve të Leh Pozanint, por cilësia e tij ka bërë që të meritojë një vend në “bandën” e polakëve të Robert Levandovskit. I famshëm për driblimet e tij, mund të shndërrohet në “furnitorin” kryesor të bomberit të Barcelonës. Lovro Majer vjen në Botëror si zëvendësi i Modriçit, por ka gjithçka për të qenë pasuesi i tij.
Vizion loje, nuhatje për zbritje dhe aftësitë defensive e bëjnë një nga talentet e destinuara për të çelur gjatë 28 ditëve të Botërorit në Katar. Fabian Rieder i Jang Bojsave në Zvicër ka gjithçka për të rënë në sy. Mesfushor me tipare ofensive, ai është një “gjeometër” i mirëfilltë i manovrës, falë edhe asistencës së Granit Xhakës. Nuhatja e golit i ka mundësuar kombëtaren, por cilësitë mund të bëjnë që të meritojë një fanellë më prestigjioze në një ndër top-klubet europiane. Më i njohur, pa dyshim, është zvicerani tjetër, Noah Okafor. Në Europë po thotë fjalën e tij me Salcburgun dhe ka mbi vete projektorët e klubeve më të mëdha të kontinentit, por një Botëror cilësor me helvetët do ta shenjtëronte si yllin e të rinjve të turneut.