HomeOP EDReflektime në përvjetorin e lindjes së Partisë Demokratike...

Reflektime në përvjetorin e lindjes së Partisë Demokratike…

spot_imgspot_img
Nga Eralda Tase
Në historinë e Shqipërisë, për më shumë se 30 vite, padyshim ka pasur progres por edhe regres.
Shqiptarët pritën duar hapur e shpresëplot ndryshimet demokratike.
Të rraskapitur nga sistemi diktatorial, ata mendonin që me ndryshimet e pas viteve 90′, gjërat do të ndryshonin dhe jeta e tyre do ndryshonte për mirë.
Secili me të drejtë bënte hesapet e veta. Të përndjekurit mendonin që minimumi do ju kthehej dinjiteti. Ish pronaret shpresonin të mernin ato çfarë ju takonte, pronat të cilat i kishin të krijuara me djersën e tyre dhe ishin marrë padrejtësisht nga sistemi komunist.
Shumë të internuar apo edhe familjet që kishin edhe të pushkatuar nga ai regjim makabër shpresonin jo tek hakmarrja por tek drejtësia. Ata mendonin mendje hapur që dikur, dikush, të mbante përgjegjësi për krimet e pa imagjinueshme të asaj periudhe të çmendur dhe të zezë.
Të gjithë ata intelektualë që merrnin urdhëra nga brigadierët apo nga sekretarët e partie të ligë, të gjenin vetveten të paktën. Të gjithë ata shkrimtarë desident që u denuan dhe më keq akoma, u pushkatuan se mendonin ndryshe. E pra të gjithë ne mendonim që do vendoseshin disa pika mbi “i” dhe kjo Shqiperia jonë e lodhur dhe e rropatur do të futej në shinat e demokracisë për të lëvizur drejtë Europës që aq shumë e donim.
Po ku jemi sot. Për më shumë se 30 vite, çfarë kemi arritur?
Të përndjekurit ende dhe sot i shoh në listat e gazevae duke pritur të marrin këstin e radhës. Turp për këtë shoqëri që dhe pas 30 vitesh ende i përndjek për bukën e gojës.
Ish pronarët ende janë duke bredhur derë më derë me letra në duar për djersën e tyre dhe të brezave që kanë pasur më parë. Ende sot pronave të tyre nuk ju dihen gjurmët nga mbivendosjet e interesave afatshkurtëra të këtyre palo drejtuesëve dhe klientelistëve të tyre.
A mos vallë i dënoi kush në këto 30 vite? Përkundrazi!
Janë më të fortë se kurrë dhe tentakulat e tyre shtrihen në çdo hallkë të pushtetit, qoftë atij lojal apo qendror.
Ku janë intelektualët sot? E njëjta skemë edhe për ata. Sot patronazhistët që kanë vetëm diplomë të shkollës së lartë por jo të mesme, harbutrisht drejtojnë ata të cilët kanë sakrifikuar për një arsim më të mirë. Këta janë ata të cilët, si në kohën e largqoftit, drejtojnë me tesera partie në xhep.
Shkrimtarët desident sot janë zëvendësuar me palaço që bëjnë sikur shkruajnë dhe sjanë të sigurt a e dinë vallë se kush e lëvizi penën për të shkruar “kurbanin” apo “mu befshin kurban”.
Apo u zëvendësuan me këta pseudo- analist që vetëm llomotisin tërë ditën për ti shërbyer interesave afatshkurtëra personale e kurrë një interesi publik në të mirë të shoqërisë?
Askush nuk e beson më se të gjitha këto kanë ndodhur pa dashje apo pa kuptua.
Të gjitha kanë pasur qellime të mirëmenduara. Kush flet hapur për këto çështje, akuzohet se është i shitur ama se ku, nuk dihet.
30 vite që asnjë gjë nuk ka ndryshuar. 80 vite me ndjenja tradhtie për njeri tjetrin e duke harruar se ne jemi të përkohshëm, ama Shqipëria është e përhershme.
30 vite me ëndërra për një të ardhme më të mirë. 30 vite që unë kam ende të njejtat ëndërra si fëmijët e mi sot. 30 vite dhe 0 progres.
U kam rreth dy vite që jam përfshirë në politikë në mënyrë direkte. Sot jam deputete e Parlamentit të Shqipërisë.
Edhe unë si ish e perndjekur politike, shpresoja shumë që shtresa që përfaqësoj sot të ishte në një pozitë më dinjitoze njerëzore.
Si ish pronare pretendoja të merrja ato pak prona që më trasheguan të parët e mi, por më kot sepse edhe shtëpinë që dikur na u la sepse ishim familje e madhe e jo sepse e meritonim, sot po tentojnë të ma marrin rruspat e Bashkisë Fier. Edhe pse në atë truall kemi mbi 100 vite. Edhe pse Tase është një nga familjet më të vjetra dhe që kanë ndihmuar në ndërtimin e këtij qyteti që këta halabakë po ja pijnë gjakun.
Ajo që më vret më shumë në shpirt nuk ka të bëjë me vuajtjet apo me strapacimin për të marrë këtë të drejtë, por ka të bëjë me akuzat dhe cinizmin që dëgjoj kur thonë se jam e shitur.
Jam e shitur unë që më kanë grabitur shtëpi e katandi.
Jam e shitur unë që jam bija e një njeriu që degdisej duke lënë shtëpi e fëmijë vetëm sepse ai vetë ishte djali i një njeriu që mendonte ndryshe nga Enver Hoxha.
Jam e shitur unë që tim vëllai nuk ju dha kurrë e drejta për tu arsimuar sepse ishim familje që donte të keqen e Partisë Komuniste e ndërkohë fëmijët e atyre që kanë vrarë sot janë Ministra e Drejtor të lartë.
Jam e shitur unë që punova dhe ende punoj një jetë për të ushqyer e shkolluar fëmijët e mi ndërkohë që ka shumë kolegë të mitë që deklarojnë miliona euro nga “puna” e tyre.
Jam e shitur unë që nuk pranoj kompromise mbi dinjitetin tim dhe të qytetarëve të mi.
Unë kam vetëm dy vite që kam marrë këtë detyrë, e cila më duhet ta pranoj se dukej e lehtë nga jashtë, por paska qenë e lehtë për ata të kalburit që jo vetë sduan tja dinë për dinjitetin e qytetarëve por as nuk kanë vetë një fije dinjiteti.
Kjo është ajo që më dhëmb më shumë. Unë nuk mund dhe refuzoj të mbaj mbi supe mëkatet e të gjitha qeverive që kanë kaluar në trnzicionin e sterzgjatur shqiptar.
Unë nuk jam për tu shitur. Unë kam marrë përsipër të bëj aq sa mundem në këtë situatë që Shqipëria ndodhet dhe do e bëj këtë duke folur gjithmonë me qytetarët e mi. Ata që më njohin e dinë se kjo ka një rëndësi të veçantë për mua.
Do bëj opozitën pa kurrëfarë ndrojtje apo pishmani.
Qytetarët e mi do më shohin duke votuar sa herë që të jetë mundësia për ligjet anti komuniste apo atyre që dëmtojnë qytetarët dhe Shqipërinë dhe që nxirren për interesa të këtyre palaçove që kanë kapur shpirtin e këtij vendi me thonj.
Unë kam bindje se nuk jam e vetmja që mendoj kështu por shumica prej nesh mendojmë njëlloj e megjithatë nuk e kanë mundësinë ta shprehin hapur apo në atë tribunë si unë. Kjo më shtyn akoma më shumë që të jem zëri i atyre që ndihen sikur nuk kanë zë.
Ata të cilët kërkojnë që njerëzit si unë mos të ngrenë kokë por të mbyllin dhe gojën, duhet ti thërrasin mendjes dhe shpirtit e të nisin ti shërbejnë këtij vendi. Qytetarët e shohin mjaft mirë se kush është i shitur ku dhe çfarë çmimi kanë pasur. E shohin në pronat që këta kanë, në jetën që bëjnë dhe në sa të ardhura deklarojnë se kanë edhe pse puna që kanë bërë nuk i justifikon. Këto fakte ulërasin por vetëm për ata që duan të dëgjojnë dhe duan të shohin.
Unë refuzoj të bëhem vegël e pushtetit apo a tyre që mendojnë se Partia është e trashëguar.
Gjakun dhe të parët e mi nuk i shes kurrë sa të kem frymë.
Dante ka thënë se ka një vend të veçantë në Ferr për të gjithë ata të cilët në kohë krize, zgjedhin të mos bëjnë diçka.
Zoti e mbroftë këtë vend dhe qytetarët e tij.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular