Nga Bujar Leskaj
In memoriam, Trifon Xhagjika
In memoriam, Trifon Xhagjika
Atdheu është lakuriq!
Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963
“Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”- Trifon Xhagjika (1932 – 1963), poeti pa varr, disidenti deri në fund.
Kjo është shprehja lapidar në sallën e gjyqit e poetit, ushtarakut, disidentit dhe simbolit të qëndresës intelektuale antikomuniste në Shqipëri, Trifon Xhagjika.
Dje ishte përvjetori i pushkatimit të tij nga diktatura komuniste.
Pas botimit të vëllimit të parë me poezi, “Gjurmët” në 1959, do të jetë në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit.
Në gjyqin komunist ai mbajti një qëndrim dinjitoz dhe shpërtheu i rebeluar me shprehjen: “Po të më jepni një top do të qëlloja mbi regjimin tuaj”.
Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve komunistë.
Mjaft nga poezitë e pabotuara të Trifon Xhagjikës kanë humbur. Vetëm pas viteve ‘90 është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve: “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.
Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet prej 59 vitesh poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.
