HomePolitikeINTERVISTA/ Nga “revolucion” në protestë, Luçiano Boçi: ‘Lufta’ është në prag, përballje...

INTERVISTA/ Nga “revolucion” në protestë, Luçiano Boçi: ‘Lufta’ është në prag, përballje deri te shpërthimi final

spot_img

VALENTINA MADANI/ Opozita nuk kërkon vetëm largimin e Kryeministrit Edi Rama, por edhe të mazhorancës socialiste, e cila sipas Luçiano Boçit qëndron në fron përmes korruptimit kombëtar e ndërkombëtar.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtohet sistemi ndaj Boçi paralajmëron përballje deri në shpërthimin final. Nënkryetari i PD-së, thotë për gazeta Panorama se ditën e shtunë revolucioni ka nisur dhe se regjimet nuk shemben në një ditë pasi kanë format e mjetet e pista të rezistencës së tyre që sfidohen vetëm me përballje qytetare dhe vazhdimësi protestuese.

Ndaj ai fton demokratët që sot në protestën para Parlamentit për përballje me Edi Ramën deri në largimin e tij. Në këtë rrugëtim, kandidati i opozitës për kreun e ri të Bashkisë së Elbasanit, demokratët i sheh të bashkuar.

Luçiano Boçi shprehet se pavarësisht mosmarrëveshjes së elitës, anëtarësia e partisë në bazë është më e kthjellët në qëllimësinë e afërt politike dhe më solidarë me njëri tjetrin në sakrificat e bëra, luftërat e zhvilluara dhe dëshirat që duan të realizojnë në raport me politikën dhe me qytetin. Për ta ruajtur e forcuar këtë bashkim që ndihmon maksimalizimin e votave z. Boçi thotë se “jemi në një komunikim politik të sinqertë dhe të vazhdueshëm”.

Z. Boçi, mijëra shqiptarë ditën e shtunë kërkuan në shesh dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por duket se ata mbeten të zhgënjyer pasi nisur nga retorika e lidershipit të opozitës ishin bërë gati për të “shpërthyer” kundër qeverisë. Pse nga thirrjet për “revolucion” te protesta paqësore? Pse ky vendim, apo mund të themi se Rama nuk ka parë gjë akoma…?

Pjesëmarrja marramendëse e protestuesve ishte një formë shpërthimi e zemërimit të tyre dhe revolucioni në këtë dimension konsiderohet i nisur. Njerëzit janë të revoltuar. Qytetarët janë të zemëruar. Ky është fakt e realitet. Protesta foli me kokëfortësinë e numrave, mesazheve të forta dhe akteve simbolike. Paralajmërimi i saj, larg të klasifikuarit paqësore ishte i qartë; ne do vazhdojmë në progresion aktesh e veprimesh. Kjo protestë prishi heshtjen publike si paqe të rremë dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet paqësore. Raportet e përfaqësimit politik sot janë përmbysur dhe zgjidhja politike për shumë arsye ekonomike, sociale, arsimore por dhe për shkak atentatit politik ndaj sistemit demokratik, ngjan të jetë emergjencë. Pastaj nënshkrimet e ultimatumeve mos harrojmë gjithmonë bëhen në atmosferë paqeje. Sepse pararend profecinë, sipas së cilës për të fituar “paqen” duhet “lufta” dhe lufta është në prag. Askush mos të ketë iluzione. Nuk ka vend për zhgënjim. Radikalizmi nuk është rrufe në qiell të pastër, por kalon përmes fazave rritëse deri në shpërthim final.

Protesta e së shtunës sipas liderit demokrat Sali Berisha ishte fillimi i asaj që e konsideron një revolucion demokratik, dhe se nuk do të ketë kthim pas. Si do të bëjnë shqiptarët rezistencë pa kthim…? Si do të vijë ndryshimi me çdo çmim…?

Kërkon sakrificë, qëndresë, durim. Regjimet nuk shemben në një ditë. Kanë format e mjetet e pista të rezistencës së tyre që sfidohen vetëm me përballje qytetare dhe vazhdimësi protestuese. Çmimi duket i lartë, por çështja është sublime. Aktet e forta, mosbindja civile, organizime të formateve të ndryshme protestuese deri në përballje të drejtpërdrejtë me regjimin do të jenë primare, të koordinuara me betejat parlamentare, organizimet zgjedhore dhe ngjalljen e besimit për një të ardhme të dëshiruar.

Këto modele protestash a e trembin Edi Ramën, të cilin opozita e akuzon se përdori zyrtarin e FBI-së McGonigall për të shkatërruar PD-në, duke lobuar kundër saj në Shtetet e Bashkuara?

Se sa trim është Edi Rama mjafton të sjellim në vëmendje fshehjen e tij prej tri javësh nga Parlamenti, media e publiku. Rama pasqyron “trimërinë” e një të hetuari nga drejtësia amerikane që e sheh veten në perspektivën e afërt të pandehur të kësaj drejtësie. Dhe Rama e di mirë pasojën politike të gjendjes së tij juridike, pasojë që protesta ja ulëret në fytyrë dhe nga e cila ka tmerr dhe në gjumë. Çdo model proteste, cdo format proteste, çdo përplasje në parlament e struk Ramën brenda “poçit” të tij absurd ku ai jeton i mbledhur kruspull me frikën e tij epike.

Çfarë kërkon konkretisht opozita, largimin e Edi Ramës dhe pasuesin e një tjetër socialisti apo rrëzimin e gjithë qeverisë?

Opozita kërkon shpëtimin e sistemit, çlirimin nga korruptimi i sistemit në të gjitha nivelet gjë që përmbushet me largimin e Ramës dhe kësaj mazhorance nga një fron të marrë me korruptim kombëtar e ndërkombëtar, qartazi tanimë pa zgjedhje, me mbështetje të korruptuara e me ligje zgjedhore të korruptuara. Përndryshe nuk ka shërim.

Opozita pritet të zhvillojë një tjetër protestë sot para Parlamentit. Sërish do të jetë protestë paqësore…?

Do të jetë protestë dhe protestë të qetë me rrethime me policë të armatosur deri në dhëmbë sikur nuk përputhet. Një protestues nuk është ai që ofron paqen është ai që e kërkon paqen nëpërmjet revoltës e betejës së tij.

Protesta nuk mundi ta bashkojë tërësisht PDnë. Pse partia më e madhe e opozitës vazhdon të jetë e përçarë? Kush po e mban peng PD-në?

Mjafton dhe që e bashkoi në një masë të dukshme, sepse tregon tendencën e një procesi që ka nevojë të marrë kohën e tij e të kalojë në fazat e tij. Mbajtja peng vjen pikërisht nga projekti i faktuar i eliminimit të opozitës, i financuar dhe i lobuar pisët e me korruptim nga Rama. Kjo ka sjellë që një zyrtaruc të mos regjistrojë një vendim gjykate sepse korruptimi i tij me kërcënim apo dhurim është bërë nga Rama. Kjo ka sjellë që një Kim Filb modern, përkundër korruptimit të bërë nga Kryeministri shqiptar të ndërsejë miqtë tanë kundër opozitës me falsifikime dhe interesa të pista. Ky moment kërkon logjikë të ftohtë e angazhim politik maksimal për tu kapërcyer. Bashkimi ka për të ndodhur.

Sa do ta dëmtojë PD-në ndarja në zgjedhjet lokale nëse deri atëherë nuk arrihet dakordësia mes palëve për unifikim?

Ndarja ka efektet e saj dhe gjetja e shërimit të pasojave kërkon një përpjekje të jashtëzakonshme. Dëmi i saj më i madh nuk janë zgjedhjet se ato me pak angazhim e impenjim kapërcehen nëpërmjet punës elektorale e lidhjeve më vlerat e të kandiduarve. Dëmi më i madh është moraliteti. Krijohet precedenti i politikës negativiste, i dhënies status zyrtar të inatit politik dhe të vetëdorëzimit në prehrin e kundërshtarit politik, jashtë dëshire por me vullnet të shprishur.

A mjafton vetëm bashkimi që opozita të fitojë? A i duhen asaj shumë zgjedhës që të shkojë drejt fitores për të mundësuar rotacionin politik?

Bashkimi është faktor frymëzues dhe politik. Numrat janë elementi absolut dhe nuk besoj se duhet ngritur si pyetje. Fitorja është shumatore më e madhe e zgjedhësve mbështetës.

Si do t’i mobilizojë opozita shqiptarët përballë 750-800 mijë të tjerëve të cilët kanë votuar mazhorancën?

Mos gaboj opozita ka në sirtarin e saj 720 mijë vota. Diferenca kombëtare prej gati 30 mijë nuk ngjan kaq e madhe. E të mos harrojmë se si i mori mazhoranca këto vota sikurse mos harrojmë që jemi në zgjedhje administrative dhe jo politike ku faktori kryesor nuk është partia por kandidati. Asnjë skepticizëm. Në garë ne hyjmë për të fituar.

Ju kandidoni për kreun e ri të Bashkisë së Elbasanit. Si është situata e demokratëve atje? Çfarë po bëni për të pasur bazën e bashkuar me qëllim maksimalizimin e votave me 14 maj?

Demokratët kanë një dëshirë të pandalshme për ti ndryshuar faqe Elbasanit të drejtuar shëmtuar prej 16 vitesh nga arroganca, rastësia, sekretarët e shefave të tyre dhe arbitrariteti. Pavarësisht mosmarrëveshjes së elitës, ata janë më të kthjellët në qëllimësinë e afërt politike dhe më solidarë me njëri tjetrin në sakrificat e bëra, luftërat e zhvilluara dhe dëshirat që duan të realizojnë në raport me politikën dhe me qytetin. Për ta ruajtur e forcuar këtë bashkim që ndihmon maksimalizimin e votave jemi në një komunikim politik të sinqertë dhe të vazhdueshëm.

Aktualisht bashkimi kuptohet si asimilim i palës tjetër. Si duhet bërë konkretisht unifikimi i PD-së?

Bashkimi nuk arrihet me asimilim. Ai bëhet si fokusim në qëllimin parësor politik të betejës për zgjedhjet lokale. Ne mund të jemi të amullt paksa me njëri-tjetrin në interpretimin e përjetimin e emocionit politik, por jemi shumë të qartë në logjikën e luftës me kundërshtarin politik.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular