Analisti Fitim Zekthi ka folur në lidhje me zhvillimet brenda Partisë Demokratike pas vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjes e vulës, ku tha se tani duhen gjetur mënyra për të bashkëpunuar.
Zekthi deklaroi se Enkelejd Alibeaj duhet të ftojë kandidatët e dala nga procesi i Primareve për t’iu bashkuar atij dhe për të pasur mundësinë të kandidojnë në zgjedhjet e 14 majit.
Gjithashtu, Zekthi zbuloi se sa i përket selisë së PD-së, në të cilën është zhvendosur grupimi i Berishës, do të merren ambiente të reja për zhvillimin e aktiviteteve nga ana e Alibeajt.
“Konflikti për ne është gjë e shkuar dhe tani që u zgjidh duhet të gjejmë mënyrën për të bashkëpunuar dhe të kemi nga një kandidat në çdo bashki. Alibeaj në cilësinë e kryetarit duhet të ftojë kandidatët e Primareve të Berishës. U la mundësia që kandidatët që garuan te Primaret të konsiderohen si kandidatë për të qenë kandidatë. Në politikë ka negociata dhe përpjekje për të negociuar, antipolitika është bindja e verbër që nuk pranon asnjë kompromis. Lëvizja e foltores së Berishës ka qenë dhe është e tillë, Alibeaj për mua është një politikan i mirë. Ka raste dhe kontakte me njerëz që kanë qenë me Berishën dhe duan të kthehen. Një pjesë mendonin se i takonte logoja Berishës, por kur gjykata tha të kundërtën ka njerëz që kanë reflektuar. Nuk besoj se është për të larë gojën kjo ftesë.
Shqipëria ka përjetuar shumë konflikte të shëmtuara. Selia ku ndodhet Berisha sot i takon PD-së dhe aty do jenë zyrat e drejtuesve. Me sa kam informacion që të mos hyjmë në konflikte nuk do shkojmë atje. Do përpiqen të marrin ambiente të tjera. Zyrat janë tulla e dërrasa e llaç. Nuk kanë rëndësi ato. Zyrat janë kot fare. Nëse do të punosh punon. Duhet që aty të rrijnë zyrtarët, por kjo nuk ndodh sepse është uzurpuar nga lëvizja e foltores deri sa të kuptojnë që ajo që bëjnë është pa kuptim”, tha Zekthi për News 24.