Gazment Bardhi i është përgjigjur Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pasi ky i fundit kërkoi që Lulzim Basha të paraqitet si kryetar i PD në KQZ, në mënyrë që kjo parti të futet në zgjedhje, pasi Basha vijon ta drejtojë zyrtarisht partinë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bardhi tha se nuk do të çojnë në KQZ asnjë dokument shtesë pasi “nuk plotësojnë tekat e Celibashit”. Ai shtoi se Komisioneri ka marrë vendim politik dhe se ky vendim do të ankimohet, sapo ai të zbardhet.
Partia Demokratike, e cila vijon të drejtohet zyrtarisht nga Lulzim Basha, rrezikon të mos hyjë në zgjedhje, nëse Basha nuk firmos angazhimin për të çuar partinë në zgjedhjet lokale, pasi KQZ nuk njeh autorizimin e tij për Alibeajn dhe të tjerët.
Bardhi ka paralajmëruar se Basha nuk do të firmosë, ndaj “shpresa” e fundit e tyre mbetet ankimimi në KAS. Përndryshe PD e “vulës” nuk hyn në zgjedhje.
“Pres që vendimin, Komisioneri ta kthejë në vendim ligjor. Edne nuk ka publikuar dhe arsyetuar vendimin që bëri publik rreth orës 11:00. Patjetër do ta ankimojmë.
Duhet të publikohet sepse ka një afat ligji. Me sa më thanë, akoma nuk i ka gjetur arsyet për të argumentuar atë vendim politik që ka marrë sot.
Dokumentacioni që ka dorëzuar PD është i plotë dhe shterues.
Nuk do të ketë asnjë dokument shtesë nga PD. Ne nuk plotësojmë tekat e Celibashit por zbatojmë ligjin dhe kemi çuar dokumentacionin që kërkon ligji”, deklaroi Bardhi në KQZ.