HomeAktualitet75 vite nga lindja e poetit martir, Bujar Leskaj: Vepra e Vilson...

75 vite nga lindja e poetit martir, Bujar Leskaj: Vepra e Vilson Blloshmit përbën një rast unikal, se gjithë sa u botua pas vdekjes u nxorr nga arkivat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit

spot_img
Nga Bujar Leskaj
18 mars 2023, 75 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Vargjet janë marrë nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”.
Aktakuza, e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi, për krahasimin e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.
Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “armiqsh të regjimit komunist”.
Duke qenë se ishte me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.
Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si mbështetje për akuzën e sabotimit në gjyqin kundër tij, dhe pas pushkatimit të autorit e deri në vitin 2000 u kyçën të varrosura në arkiva. Letërsia e tij përbënte rrezik për regjimin komunist shqiptar.
Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Librazhdit dënoi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.
Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe në vitin 2010 Presidenti Bamir Topi “Nderi i Kombit”.
Në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i Librazhdit dhe u përurua në qendër të qytetit memoriali kushtuar dy poetëve martirë, Vilson Blloshmi e Genc Leka, i projektuar nga skulptori i mrekullueshëm Sadik Spahia.
Falë përpjekjeve të parreshtura të vëllait të tij, antikomunistit dhe demokratit, heroit të gjallë Bedri Blloshmi dhe punës së studiuesit të njohur Prof. Sadik Bejko, vepra e Vilson Blloshmit përbën një rast unikal se gjithë sa u botua pas vdekjes së tij u nxorr nga arkivat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit dhe sot është e njohur gjerësisht nga lexuesit shqiptarë.
Nderim përjetë poetit Vilson Blloshmi, i cili sot do të ishte 75 vjeç dhe që jetoi një jetë si në vargjet e dhimbshme e dinjitoze të tij:
Më mirë një jetë e zezë me faqe të bardhë
Se sa një jetë e bardhë me faqe të zezë!
v.o: Sot në datën 19 mars vëllai i tij, heroi i gjallë, Bedri Blloshmi dhe një grup intelektualësh e dashamirësish përkujtojnë poetët në memorialin e tyre në Librazhd dhe në Muzeun e Poetit në Bërzeshtë!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular