Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe Shtabi Elektoral i kane dërguar sot një letër AMA-s dhe KQZ-së për të ndaluar përdorimin e logon dhe simboleve të PD-së nga subjekte të tjera.
Ja DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE DREJTORESHA E KOMUNIKIMIT TË FUSHATË SË KANDIDATIT TË PD PËR BASHKINË TIRANË, MIRELA KARABINA
DEKLARATA E PLOTË
Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, zotit Roland Bejko, i bënë thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, AMA-s dhe mediave, të marrin masa dhe të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
Ne kërkojmë nga këto institucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo subjekti politik, të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e Partisë Demokratike, në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të formacioneve të ndryshme elektorale.
Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat, zotin Roland Bejko, i njohur dhe i regjistruar në këto zgjedhje sipas të gjitha ligjeve në fuqi dhe në zbatim të kodit zgjedhor shqiptar. Ne do të marrim të gjitha masat ligjore për të mbrojtur identitetin e Partisë Demokratike, identitetin e të djathtës shqiptare që ajo përfaqëson.
Partia Demokratike ka paraqitur sot “Ankesë në lidhje me keqinfomimin e disa subjekteve mediatike” drejtuar:
Znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoriteti te Mediave Audiovizive,
Znj. Desada Metaj, Zëvendëskryetare e Mediave Audiovizive,
Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje mediave dhe institucioneve që monitorojnë ato, të zbatojnë parimin e hapësirave televizive sipas parimit “par condicion” për subjektin politik Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare dhe të gjithë kandidatëve të saj për këshillat bashkiak dhe kryetar bashkie.
Tiranë më 13.04.2023
Lënda: Ankesë lidhur me keqinformimin nga disa subjekte mediatike.
Drejtuar: Znj. Armela KRASNIQI
Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive
Znj. Desada METAJ
Zëvëndëskryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive
Z. Ilirjan Celibashi
Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.
Të Nderuar,
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me vendimin numër 179, datë 18.03.2023 ka vendosur: “Regjistrimin e partisë politike “Partia Demokratike”, me shkronja nistore “PDSH”, me nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”. Ky vendim së bashku me vendimin e datës 03.03.2023 të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm kanë zgjidhur në mënyrë përfundimtare legjitimitetin e drejtuesve të Partisë Demokratike, pjesmarrjen e saj si subjekt zgjedhor dhe përfaqsimin e saj gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme vendore të datës14 maj 2023.
Pamvarësisht qartësisë së prodhuar nga institucionet e cituara më lartë konstatojmë se disa media audiovizive me frekuencë kombëtare në raportimet e tyre lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike, i referohen deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, si “Kryetar i Partisë Demokratike”, “Partia Demokratike Grupi i Rithemelimit” “Fraksioni i rithemelimit në Partinë Demokratike” etj.
Megjithëse drejtimi i Partisë Demokratike dhe mosregjistrimi i grupimit të vetëquajtur “Rithemelimi” si subjekt zgjedhor këto janë fakte publike, të njohura dhe të raportuara nga vetë subjektet mediatike, këto të fundit vazhdojnë që në shkelje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, t’i referohen z. Berisha, si kryetar i Partisë Demokratike dhe të përdorin në emisioniet informuese qëndrime që nuk përkojnë me realitetin ligjor dhe zgjedhor. Kjo sjellje përvecse përbën keqinformim, krijon konfuzion të qytetarëve, përsa i përket lidershipit zyrtar të kësaj force politike, pjesmarrjes në zgjedhje dhe kandidaturave të mbështetura nga ana e saj, duke passjellë cënimin e interesit publik.
Neni 4, pika 1, gërma “ç” e ligjit nr. 97/203 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” (në vijim “Ligji nr. 97/2013”), parashikon se: “Transmetimet audiovizive zhvillohen mbi bazën e këtyre parimeve: ç) veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit.”.
Në listën e detyrimeve për ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizive përcaktohet se: “1. Ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet: a) të njoftojë dhe të paraqesë lajmet në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive; b) të sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për të gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme; 2. Përcaktimet e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni nuk e ndalojnë OSHMA-në të transmetojë veprimtaritë e forcave politike. OSHMA-ja, gjatë kohës së këtij transmetimi, nuk duhet të shfaqë anshmëri politike.” (shih nenin 33).
Gjithashtu neni 85 i Kodit Zgjedhor në pikën 5 të tij njeh dhe përcakton të drejtën e KQZ që të kërkojë korrigjimin e sjelljes nga ana e operatorëve radiotelevizive, kur kjo e fundit konstatohet se shkel parimet dhe frymën e Kodit Zgjedhor përsa i përket pasqyrimit të fushatës zgjedhore.
Dispozitat e sipërcituara imponojnë detyrimin për mediat audiovizive që informacioni i përcjellë të jetë objektiv, i vërtetë dhe i paanshëm. Në të kundërt, referuar nenit 19, pika 3 të ligjit nr. 97/2013, AMA ka detyrimin të konstatojë shkeljen e kryer dhe të vendosë sanksionet ligjore. Në rastin konkret, është e qartë se paraqitja e z. Berisha si kryetar i Partisë Demokratike, apo i fakteve të tjera referuar këtij subjekti zgjedhor lidhur me kandidatët e mbështetur, përkatësinë e kandidatëve në këtë forcë politike apo koalicionet në të cilat ajo është pjesmarrëse është një informacion i pavërtetë dhe që paraqet haptazi njëanshmëri politike në debatin e brendshëm të kësaj force politike.
Në këto kushte, në cilësinë e Kryetarit të Komanduar të Partisë Demokratike kërkoj nga ana juaj fillimin e menjëhershëm të një hetimi administrativ dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e informimit objektiv dhe të vërtetë të qytetarëve.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
KRYETARI I KOMANDUAR
Enkelejd Alibeaj