Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është shprehur se Igli Cara është kandidati më i mirë për të fituar Bashkinë e Durrësit.
Komentet Duka i bëri gjatë një interviste në News 24, ku ka folur lidhur me zgjedhjet e 14 majit.
Ai tha se pavarësisht se në të shkuarën Igli Cara kishte qenë një nga kundërshtarët e tij më të egër, duhet të pranonte se ka një pëlqim shumë të madh për të te qytetarët.
Duka shtoi se opozita në Durrës është e bashkuar dhe ndihet një frymë fitoreje në kampin e Igli Carës.
“Me Berishën kemi pasur një takim për të formalizuar koalicionin që më pas u bë. Unë nuk desha të futem për shkak të mbijetesës së partisë. Na duhej një garë elektorale për të rifreskuar partinë. Tashmë, sa përket bashkimit rreth figurës së Iglit ka qenë që në fillim. Unë mendoj se zgjedhjet duhet t’i trajtojmë sipas rëndësisë së individit, ku Cara që i bashkon të gjithë është përfaqësues i gjithë opozitës shqiptare. Në rastin e Igli Carës erdhi edhe Dashamir Shehi që ka të njëjtin mendim për të dyja palët e mëdha.
Nëse ndikojmë në fitoren e Carës në Durrës kemi arritur qëllimin tonë si opozitarë. Në Durrës kushdo aktor politik që jep kontributin bën shumë mirë. Qëndrimi kaq i gjatë i PS-së nuk i sjell të mira qeverisjes vendore. Në rastin konkret, Igli Cara premton që mund të fitojë. Energjitë tona mendojmë se mund të ndikojnë në fitoren e tij. Më gjej një figurë që ka peshë se të tjerët në kandidatët e opozitës dhe unë do e mbështes.
Cara ka një ndjesi pozitive nga qytetarët e Durrësit dhe ka jetuar prej kohësh aty. Nuk kam dashuri për Igli Carën unë. Hiç fare. Nuk është dashuri, respekti është tjetër gjë. Ai ka qenë ndër kundërshtarët e mi më të egër më parë. Nëse do e shihja këtë gjë personalisht do isha kundër Iglit. Unë e them sinqerisht, duhet ndërruar menaxhimi i Durrësit.
Nuk ka më të mirë se Igli. Këtë e tregon pëlqimi i qytetarëve durrsakë. Igli është njeri që pëlqehet nga durrsakët. Në vitin 2015 kam qenë ndër kandidatët për Durrësin ndaj Dakos. Në atë vit kam qenë më mirë se Igli. Kjo punë është me etapa. Sakon nuk e njoh fare. Ka profil shumë më të ulët publikisht. Iglin e nxjerrin shumë më përpara sondzhet se kundërshtarja e tij”, u shpreh Duka.