Denoncim i sekretarit funksional pranë Partisë Demokratike Vlorë z.Rezenbrik Serjani, lidhur me mungesën disa ditore të ujit në disa rajone të qytetit të Vlorës:
Ndërkohë që ushtria propagandistike qeveritare, po çan çdo ekran e media, për arritje “imagjinare”, sot e 8 ditë Vlora gëdhihet pa ujë në rubineta. Edhe pse uji 24 orë, ka 26 vite që premtohet nga qeveritarët lokalë e qëndrorë socialistë, përsëri vitin e 27 do të na serviret e njëjta gënjeshtër, kur në fakt realiteti është krejt ndryshe. Vlora sot vuan sindromën e bolierave, ku këta të fundit ndihen Zotër në taracat e gjithë pallateve të qytetit. Asnjë investim, abuzime kolosale nga ndërmarrja e Ujësjellësit, ku është kthyer më shumë në një çetë të militantëve socialistë, por njëkohësisht edhe e parazitëve që s’bejnë asnjë punë, të cilët shpërblehen me këto vende pune, për devotshërinë e tyre partiake. Rreth 3 vite më parë Bashkia Vlorë, ngriti çmimin e ujit, me justifikimin e investimeve për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe premtimin e famshëm “ujë 24 orë”. Sot pas afro 3 vitesh, kemi shërbim më të keq dhe çmim më të lartë të ujit. Kemi abuzime dhe vjedhje më shumë, pos asnjë pikë ujë në çezmat tona. Rajonet 2,3 dhe 4 kanë probleme të mëdha me ujin sot e 8 ditë. Nuk kanë vend ku të ankohen qytetarët, nuk gjejnë zgjidhje për këtë problem jetik, sepse gjithë administrata ka sytë dhe energjitë te kandidati që do bëjë premtimet e genjeshtërta njësoj si paraardhësit e tij socialistë. Këto ditë do të na shurdhojnë veshët me fjalët: Turizëm elitar, investime infrastrukturore, ujë 24 orë, parajsën mbi tokë e tokën mbi parajsë, por në fund ujë në shtëpitë tona s’do të kemi. Vlora perla bukurisë natyrore, po kthehet në mbretëreshën e pisllëkut. Ne nuk do ta lejojojmë këtë, më 14 Maj bashkia duhet t’i kthehet qytetarëve, një bashki për qytetarët dhe jo për hajdutët përsëritës.