Roland Bejko takim me banorët e ‘Misto Mames’: Do i shpronësojmë banesat e prishura me vlerën e tregut! Ulim me 50% taksat, Tiranës i duhen politika të djathta për tu zhvilluar.
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës zhvilloi një takim me qytetarët në zonën e Misto Mames. Bejko u prezantoi atyre pikat e programit për kryeqytetin, ku theksoi se nëse do ta votëbesojnë më 14 maj, do të ulë të gjitha taksat vendore me 50%. Një politikë e tillë, Bejko tha se do të ndiqet me qëllim që të rritet numri i qytetërve që paguajnë taksat dhe kështu buxhetit të bashkisë do t’i shtohen 50-60 milionë euro, që do të shkojnë për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe prioritetet e tjera. Sa u takon shollave, çerdheve dhe kopshteve, Bejko tha se ato do të pozicionohen vetëm 15 minuta larg shtëpisë.
Ndërkohë, kandidati demokrat u ndal edhe tek prishja e banesave në mënyrë të padrejtë që ka bërë Erion Veliaj. Ai tha se nëse do të zgjidhet kryetar bashkie do të shpronësojë banesat që mund të prishen me vlerën e tregut.
“Programi im për Tiranën është një program ambicioz, jo me premtime të bujshme. Gjëja e parë që do bëj për Tiranën është që do heqim kthetrat e kësaj klase të korruptuar politikanësh dhe oligarkësh. Me mua kryetar bashkie nuk do të kenë shans ata që të komandojnë se kush i fortë apo kush oligarkë do të marrë çfarë nga prona publike. Me mua në krye të Bashkisë së Tiranës, qytetarët e Tiranës do të jenë të qetë se askush nuk do vijë t’ua prishë pronën me një rusp natën duke u zënë edhe plaçkat e shtëpisë brenda, investimin e jetës brenda, djersën e ballit, mundin e fëmijëve në emigracion. Nuk ka për të ndodhur. Nëse do të ketë shpronësime të pronave të tyre, shpronësimet do bëhen me vlerën e tregut. Me vlerën reale të tregut sot, për metër katrorë, jo vetëm banesë, por edhe oborri apo kopshti që ka nëse do duhet të prishen. Unë do jem kryetari i bashkisë së Tiranës me transparent dhe bashkëpunues me këshillin e bashkisë.
Ne do të ndërtojmë shkolla, çerdhe, kopshte, do t’i japim akses prindërve që t’i edukojnë fëmijët në mjedise komode. Këta e pengojnë ndërtimin e shkollave sepse një shkollë që ndërtohet me të njëjtat parametra në Itali me 1 mln euro, po ta sjellësh në Tiranë kushton 3 mln euro. Po 2 mln euro ku shkojnë, i ndajnë me njëri tjetrin, me oligarkët, oligarkinë politike dhe me firmat e klanit të tyre që kryejnë punimet. Prandaj jemi pa shkolla, kopshte, pa çerdhe. 15 minuta larg banesës do ta keni kopshtin, çerdhen, shkollën dhe qendrën shëndetësore.
Do të ulim taksat me 50%, do të heqim taskën e infrastrukturës shkollore dhe sportive. Duke ulur taksën me 50% do të bëjmë që të rritet baza e tatimpaguesve. 50% sot është ekonomi informale. Do t’i ulim taksat dhe do të kërkojmë që të gjithë qytetarët të paguajnë taksat dhe kështu do të futen në arkën e bashkisë 50-60 mln euro të tjera që mungojnë sot. Me këto do të bëjmë shkolla, kopshte, çerdhe etj.
Do zgjidhim problemin e ujit të pijshëm në Tiranë. E rriti çmimin tre herë Erion Veliaj në Tiranë me prteksin se tha do të kemi ujë 24 orë. Nuk e bëri dot kurrë këtë,, ndërmarrja kaloi në faliment edhe pse paguajmë 30 mijë lek për ujin e pijshëm, paguajmë 40 mijë lekë për të blerë ujë në dyqan Pra, Tirana është e rrethuar nga burime ujore, Shqipëria është vend i oasur me ujë dhe brenda mandatin tonë do sigurojmë ujë 24 orë që 32 vjet vazhdojmë sin ë ’90 ku sa dilni në fushata elektorale kërkoni rrugë, ujë drita”, tha Bejko.







