Sipas disa mediave lokale, sulmuesi filloi të qëllonte mbi një automjet me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona. Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak. Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.
Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë. Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë. Të mërkurën, një djalë 14 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.
Sulmi bëri që Qeveria e Serbisë të propozojë kufizime më të ashpra për posedimin e armëve. Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Evropë.







