Nga Ardi Stefa
Dëshiroj të falënderoj nga thellësia e zemrës ata qindra, mijëra anëtarë, miq e simpatizantë të partisë X, që luftuan me ne në këtë betejë elektorale me vetmohim, pasion, këmbëngulje dhe dinjitet, sepse besuan tek ne, programi, vizioni, përkushtimi ynë.
Ishte një betejë, ndoshta beteja më e vështirë, por edhe më e bukur zgjedhore që kemi zhvilluar ndonjëherë.
Dua të falënderoj ata qindra- mijëra qytetarë që na nderuan me votat e tyre.
Në kushtet në të cilat u luajt kjo betejë elektorale për ne, vota e tyre nuk ishte aspak e sigurt
Rezultati i zgjedhjeve është padyshim negativ për ne. Edhe pse partia X mbetet opozita zyrtare, ne kemi pësuar një disfatë të rëndë zgjedhore.
Por besoj se, në radhë të parë, rezultati zgjedhor është kryesisht negativ për shoqërinë dhe demokracinë.
Përqëndrimi i gjithë pushtetit në një parti është negativ për të gjitha forcat progresiste, shoqërinë, demokracinë, përparimin. Dhe kjo dërgon një këmbanë alarmi e rreziku për çdo qytetar demokrat.
Fatkeqësisht, përgjegjësi kryesor për këtë zhvillim është lidershipi i partisë në pushtet, i cili e zhvendosi fushatën parazgjedhore drejt fyerjeve e intimidimit të kundërshtarëve politikë, “blerjes masive të votave”, përdorimit e keqpërdorimit të administratës, duke rrëshqitur shpesh herë edhe në një diskurs ekstrem, arrogant dhe përçarës.
Në çdo rast kur forcat ekstreme përfitojnë terren, forcat politike përparimtare dhe të demokracisë duhet të organizojnë rezistencën e tyre. Dhe sa na përket ne, rezistenca demokratike në të mirë të shoqërisë është prioritet.
E përsëris, rezultati i zgjedhjeve është padyshim negativ për ne.
Kjo situatë e re kërkon nga partia X një vlerësim të duhur, të matur, pjekuri, kthjelltësi e analizë demokratike, unitet, por edhe vendime drastike e të shpejta për ndryshimet e nevojshme.
Kërkon që ne të takohemi sërish me vlerat tona, të bëjmë një analizë të thellë, të dëgjojmë bazën e partisë, të përulemi përpara vetmohimit të tyre, të lexojmë votën dhe të marrim përgjegjësitë politike. Të rinovojmë me guxim forcën tonë ekzekutive vertikalisht, nga lart deri në bazë, duke treguar besim tek të rinjtë.
Natyrisht edhe për t’u dhënë fund mentaliteteve e qëndrimeve që na kanë kushtuar e na kushtuan edhe sot shtrenjtë.
Kërkon që të reflektojmë me pjekuri, kthjelltësi dhe përgjegjshmëri, me mendje të hapur e duke vënë interesin e kombit për shkaqet e rezultatit zgjedhor dhe të qëndrojmë në lartësinë e rolit që, pavarësisht humbjes sonë, qytetarët na caktuan sërish me votën e tyre: Si opozita zyrtare, që mund t’i rezistojë të autokracisë ekstreme dhe të ushtrojë një opozitë vendimtare programore.
Koha, për të punuar në mënyrë sistematike e pa gënjeshtra me qëllimin e ringritjes së forcës sonë politike, nuk është e pakufizuar. Horizonti kohor për kthimin tonë në pushtet janë zgjedhjet parlamentare pas rreth dy vitesh nga sot.
Dhe kjo duhet bërë me sukses sepse e diktojnë nevojat e qytetarëve, atdheut.
Për Partinë X, sot është mbyllur një cikël i gjatë historik. Një histori kontributi pozitiv për qytetarët dhe atdheun.
Dhe ne duhet ta vlerësojmë atë me krenari.
Por në të njëjtën kohë duhet të ndërmarrim hapat e nevojshëm, sado të dhimbshëm të jenë, për të çelur shpejt dhe dinamikisht një cikël të ri historik, akoma edhe më premtues. Për të adresuar rreziqet e dukshme, por edhe ato të padukshme për shoqërinë dhe demokracinë. Për të krijuar kushtet për ndryshime e kontrata të reja në favor të progresit dhe drejtësisë.
Partia X merr nga sot përgjegjësitë që i ka ngarkuar vota popullore.
Nëpërmjet proceseve të koordinuara dhe kolektive, ne do të marrim vendimet tona, siç i takon një partie demokratike pjesëmarrëse.
Anëtarët e partisë do të thirren të na gjykojnë të gjithëve dhe të hartojnë strategjinë që plotëson këto rrethana të vështira.
Do të jemi të hapur të dëgjojmë pa xhelozi, pa u fshehur se ku gabuam, pse gabuam, si gabuam dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë duke mos paragjykuar askënd.
Nëse lexojmë drejt, kthjellët e qartë votën dhe mesazhin që na dhanë qytetarët me votën e tyre, atëherë mundësitë që të rikthehemi më të fortë, shpresë e alternativë qeverisëse, dyfishohen nga sot, kur sapo është mbyllur numërimi e ka dalë rezultati i zgjedhjeve.
Besoj thellësisht se diskutimi serioz, autokritika e frytshme e gabimeve dhe mangësive të periudhës së mëparshme, që rëndon mbi të gjithë, përpunimi i një plani të ri serioz dhe radikal për t’u shkëputur nga e kaluara, një plan i ri për të ndryshuar marrëdhëniet në nivel politik përmes një aleance të gjerë kundër këtij sekti dhe mbrojtjes së demokracisë, një plan rindërtimi demokratik dhe organizimi shoqëror, që do të përdorë njohuritë dhe aftësitë duke e bërë shoqërinë pjesëmarrëse, pretendimi për një model tjetër qeverisjeje si dhe për një rol të ri të partisë, ishte dhe është mënyra e vetme për të kapërcyer krizën dhe për të mbledhur e rindërtuar partinë pas kësaj disfate.
Personalisht, si kryetar i partisë X, nuk do të fshihem pas gishtit, as do ta drejtoj gishtin ndaj të tjerëve. As nuk do të fshihem pas nenesh e paragrafesh të statutit të partisë. Në radhë të parë gishtin dhe përgjegjësinë do ta kthej nga vetja, si shenjë reflektimi, përgjegjshmërie, pjekurie politike dhe vizioni demokratik.
Vetëkuptohet që në këtë proces kolektiv të rindërtimit e riorganizimit të partisë, do të jem i pari që do të vendos veten në gjykimin e anëtarëve të partisë, duke garantuar një proces të rregullt e të ndershëm brenda partisë, një garë të hapur e të barabartë dhe duke respektuar cilindo rezultat që do të dalë nga vota e anëtarëve dhe qytetarëve simpatizantë!”