Bujar Karoshi
Ansambli folklorik i Dibrës, “Përparim Tomçini” sapo mbylli shfaqjen e saj në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës (26.06.2023)
Ansambli folklorik i Dibrës, “Përparim Tomçini” sapo mbylli shfaqjen e saj në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës (26.06.2023)
Dibra e nisi festivalin me ritin e jetës baritore të zonës së Kalasë së Dodës. Më pas, një valle dyshe burrash nën interpretimin e valltarëve Rakip Pashnjari dhe Gjuran Ilnica.
Mifterim Kupa dhe Fatmir Daku sollën një interpretim të këngës “Hajde moj Laznore”.
Kënga e Suf Murrës, nën interpretimin e Mifterim Kupës dhe Edmond Përnezhës e shoqëruar nga grupi, solli elementë polifonikë të zonës së veriut, pak të njohura për publikun, por që në kalanë e Argjirosë mori duartrokitje të ngrohta.
Me duartrokitje u prit edhe kënga tjetër, Atje n’at zabel, kënduar nga Eda Uka dhe Etmond Përnezha.
“Ti Moj Dibra e Kastriotit,/Brez pas brezi e mot pas moti,/ Luft’ o me krajla e luft’ o me mbretër,/
Dibër ishe, Dibër mbete!”. Këto janë disa nga vargjet e këngës “Dibër ishe, Dibër mbete” kënduar nga Eduart Hoxha dhe shoqëruar grupi i burrave.
Këtë vit paraqitja në festivalin e Gjirokastrës ka disa veçanti.
“Për herë të parë Ansambli i Dibres u prezantua duke mbajtur mbi supe emrin e kompozitorit dibran Përparim Tomçini, ku pjesa më e madhe e programit e prezantuar në festival mban autorësinë e kompozimeve të tij”, tha për gazetën “Rruga e Arbërit” udhëheqësi artistik i Ansamblit, Igli Tomçini.
Tomçini tha se “një e veçantë tjetër është kënga e Suf Murrës, e sjellë me elemente polifonike të zonës së veriut, gjë e cila është e rrallë për këngët e zonës sonë”.
Për herë të parë këtë vit dy Dibrat e kanë zhdukur kufirin, duke bashkuar për tu përfaqësuar në këtë festival, Dibra e Madhe dhe Peshkopia.
Motive folklorike nga Dibra paraqiti natën e parë të hapjes së festivalit edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në repertorin e këtij Ansambli ishin këngë “Fusha e Korabit”, “Këngë për Suf Xhelilin”, “Na këndojnë pushkët nëpër kulla” si dhe “Vallja e Dibrës”.
Festivali Folklorik Kombëtar 2023 nisi me 24 qershor në kalanë e qytetit të Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe do të mbyllet me 1 korrik 2023.
Në këtë fëstival pritet të ngjiten në skenë mbi 1200 artistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
Në këtë festival do të paraqitet me një repertor edhe Ansambli “Lura” nga Londra më datë 29 qershor 2023.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha në hapje të festivalit, se synohet që Festivali Folklorik i Gjirokastrës të regjistrohet në UNESCO.