Aksion në Durrës. Policia ka zhvilluar ditën e sotme kontrolle në banesën e Aleksandër Lahos alias Pellumb Muharremit, i njohur ndryshe si ‘Rrumi’. Ky i fundit ishte në kërkim , dhe kishte dy urdhër arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK. Aksioni për kontrollin e banesës së tij është marrë pas sinjalizimeve se i shumëkërkuari ‘Rrumi’ ndodhej në shtëpi.
Ndërkohë theksohet se është shoqëruar i vëllai, Vullnet Muharremi, por më pas është lënë i lirë. Sakaq gjatë aksionit është kapur një person me armë pa leje dhe më pas është arrestuar.
Rrumi është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji. Aktualisht Laho është shpallur në kërkim, ndërkohë që policia po vijon kontrollet për ekzekutimin e urdhrit të SPAK.