Nga Fatmir Guda
Kur fillova të mendoj ndryshe politikisht nga pjesa tjetër e demokratëve, nuk e bëra as për tifozllëk ndaj emrash konkretë të përfshirë në konflikt, as për karshillëk për të “mundur” ndokënd ndër ne kur të vinte dita të dilte në dritë vërtetësia e vendimit që unë kisha ndërmarrë në krye të herës.
Kur fillova të mendoj ndryshe politikisht nga pjesa tjetër e demokratëve, nuk e bëra as për tifozllëk ndaj emrash konkretë të përfshirë në konflikt, as për karshillëk për të “mundur” ndokënd ndër ne kur të vinte dita të dilte në dritë vërtetësia e vendimit që unë kisha ndërmarrë në krye të herës.
Madje për të qënë i sinqertë e kisha ndarë mëndjen edhe të kërkoja ndjesë nqs do isha gabim në qëndrimin tim karshi të tyrit duke u tërhequr njëherë e mirë nga të marrurit me politikë (dhe nuk do ishte fundi i botës). Por instikti i lirisë së të guxuarit brenda vetes ma bënte edhe më të qartë rrugën, ndërsa me keqardhje konstatoja se shumë bashkudhëtarë të deriatyshëm për arsye dhe rrethana të tyret nga më të ndryshmet, zgjodhën njëllojshëm si më parë të mos dilnin nga rreshti i kuadraturës 30 vjeçare. Dhe ja ku jemi sot në të njëjtat pozicionet mospajtuese ndaj njëri-tjetrit, ndonëse unë çdo ditë e më i bindur në rrugën e ndjekur dhe me mendimin më të përforcuar se vendi më shumë sesa drejt një rrotacioni rutinor po shkon dhe duhet të shkojë drejt shembjes së sistemit aktual politik të kalbëzuar e ndërtimit nga themelet të një modeli të vërtetë demokratik që do hapte portat e integrimit sa më të shpejtë në BE. Dhe kjo rrugë s’do të ishte kurrë e mundur pa mbështetjen e miqve strategjike dhe historikë të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët vijojnë të na inkurajojnë duke na u gjendur në krah, sigurisht kjo në funksion të kryeaxhendës së tyre për një ballkan të stabilizuar, në harmoni dhe me demokraci funksionale.
I kam qëndruar këtij vendimi me qëllimin e të kontribuarit si një qytetar i zakonshëm dhe i lirë i këtij vendi për tu lënë pasardhësve të mi dhe bashkmoshatarëve të tyre një të ardhme sa më të sigurt në atdhe të vet.
Kjo është një betejë të cilën kam zgjedhur ta zhvilloj pa imponuar apo anatemuar askënd që s’bie dakort me mua dhe me atë që po ndodh sot në Shqipëri, pavarsisht se syresh ndër ta s’ma kursyen logorenë e etiketimeve me regji qëndrore, që me thënë të drejtën më bënë edhe më imun karshi së keqes në këtë situatë aspak të zakontë.
Që t’i themi gjërat shkoqur, kam bërë maksimumin tim duke lënë mënjanë çdo krenari e sedër të tepërt, që jo vetëm të mos prish asnjë urë komunikimi mes miqsh demokratë, por edhe sa të mundja të ndërtoja ura aty ku ato nuk kishin egzistuar më parë.
Teksa e vërteta po nxjerr në dritë lakuriqësinë e hipokrizisë dhe demagogjisë së politikanëve që ç’thonë sot nuk e thonë nesër dhe sy ndër sy të bardhën e bëjnë të zezë e të zezën të bardhë vetëm për hir të interesit apo hallit të tyre ditor, ajo që lipset ndër njerëz të vetëdijshëm shqiptarë besimthyer dhe shpresëplagosur është të gjejnë kurajo e t’i shërbejnë këtij momenti historik duke u bërë bashkë në këtë ndryshim të madh kundër jo thjesht partisë-shtet që po qeveris mes skandalesh, por kundër një sistemi si ky yni që është ndër më autokratët, kleptokratët dhe kriminalët që mund të ketë egzistuar ndonjëherë në Europë e në Botë.
Në fund të fundit çdo njeri është drejtën e tij të çalltisë për veten dhe familjen e vet, sepse një jetë ka, po të mos harrojmë ama se edhe Shqipëri një kemi!