Prokuroria e Posaçme ka thirrur ish-ministrin e Financave Shkëlqim Canin dëshmitar për koncesionin e sterilizimit. Gazetarja e News24 Klodiana Lala raporton se ish-ministri do të pyetet në lidhje me këtë koncesion që ka çuar disa persona në pranga.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se thirrja e Canit lidhet me një shkresë të firmosur nga ana e tij në vitin 2015, ku Cani pas shkëmbimit të të gjithë praktikës me ministrinë e Shëndetësisë, pati fillimisht një hezitim për miratimin e këtij koncesioni, pasi do të duhej të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni për sterilizimin dhe jo prokurimi i zakonshëm sikurse kishte ndodhur në raste të tjera.
Në atë kohë, ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani paralajmëroi rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore dhe i kërkoi ministrisë së Shëndetësisë të kishte kujdes sa i përket tejkalimit të këtyre afateve.
Më pas Cani sipas dokumenteve të kohës rezulton se e miratoi kontratën koncesionare me kushtin që financimi i projektit të respektonte limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.
SPAK lëshoi në total 8 urdhër arreste, për dy prej të cilëve masat e sigurisë janë ekzekutuar, konkretisht u bë arrestimi i ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.







