I thjeshtë dhe i përulur, i matur ashtu siç u ka hije burrave të urtë dhe të mençur të një vendi, por edhe modest deri në madhështi, kështu e mbajnë mend të gjithë Fatos Baxhakun, mjeshtrin e madh të gazetarisë, i cili falë penës së mprehtë arrinte të latonte deri në përsosmëri leksikun e gjuhës shqipe. Ai udhëtonte anekënd nëpër fshatra për të treguar Shqipërinë përtej bulevardit, atë që po humbte e po shuhej, të përmblidhte botën në pak fjali, pa qenë nevoja për ta komplikuar me fjalë që çoç rrekeshin të thoshin. Shkrimet e tij u bënë shkak që shumë të rinj ta donin median ndonëse rrugës mbeti pothuaj vetëm pasi nuk bëri kurrë kompromise për të qenë një nga spektatorët e shumtë të megalomanisë mediatike. Sot bëhen 4 vjet nga ndarja e parakohshme nga jeta e pionerit të shtypit, Tos Baxhaku, dhe kemi vendosur ta rikujtojmë me një letër të ndjerë drejtuar Dritan Hoxhës, 5 vite pas aksidentit tragjik që i mori jetën. Marre nga living.al
Binte shi pesë vjet më parë
Kujtimit të Dritan Hoxhës
I dashur Tani,
Ja se si shkuan sa hap e mbyll sytë plot pesë vjet nga ikja jote. E mbaj mend fare mirë atë mëngjes të zymtë. Binte shi, njësoj si sot. Nga rrepet në anë të Lanës kullonin shakuj të rëndë uji. I mbaj mend mirë edhe lulet e lagura kokulur. Nuk ishin më të bukura. Ndërsa miqtë e tu qëndronin gojëkyçur, me shikim të zbrazët dhe me trupin e shtrënguar nga dhimbja e pamatë. Është e vërtetë. Në këto pesë vjet duhet të të kisha shkruar ca më shpesh, porse ti e di se si janë këto punët tona.
Në këta pesë vjet kanë ndryshuar shumë gjëra i dashur Tani. Më e para nga të gjitha që të gjithë ne i kemi shtuar vetes edhe pesë vjet të tjerë të vështirë mbi shpinë. Sikurse ti vetë mund ta marrësh lehtësisht me mend, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend i vështirë për mediat. E kush më mirë nga ty e di këtë gjë?! Por megjithatë punët kanë shkuar përpara. Ti tashmë je diku larg, porse vrulli yt, guximi dhe vendosmëria që t’i frymëzove janë ende kudo, ndër redaksi, në grupet e xhirimeve, në mendjet e kolegëve, në sytë dhe zemrat e më të rinjve, kudo. Për këtë dua të të falënderoj edhe një herë fort. Kjo është dhurata më e madhe që një njeri mund t’i bëjë njerëzve të tij. Për punën duhet të rrish krejt i qetë. Ngrehina që ti krijove i ka themelet e forta.
Këndej nga ne të kujtojmë shpesh. Besoj se e di që shumë rrugë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni mbajnë emrin tënd. Ti u shndërrove në një model kulturor për shumë e shumë të rinj të pashpresë, të cilët deri para teje shpëtimin e shihnin vetëm duke ikur jashtë vendit. Por shembulli yt, energjia, kuraja për të kryer maksimumin e mundshëm u shndërruan në një model për shumë e shumë të rinj anë e kënd trojeve shqiptare. Tani shumë prej tyre punojnë natë e ditë, me guxim, me sakrifica, por sidomos duke ëndërruar. A nuk kishe edhe ti shumë dëshirë të ëndërroje? Shumë prej ëndrrave të tua të para janë tashmë realitete të prekshme.
I dashur Tani,
Nuk dua të të mërzis, por edhe disa gjëra dua të t’i them. Unë e di se pas punës e familjes Shqipëria ishte dashuria jote më e madhe. E pra e kam për detyrë të të shkruaj ndonjë radhë për këtë vendin tonë. Në këta pesë vjet ta pasurit janë bërë edhe më të pasur, më të sigurt, më shpërfillës e më kryelartë. Të varfërit, për të cilët t’i kujdeseshe aq shumë, janë bërë edhe më të varfër e shpresëhumbur. Një hendek i madh ka nisur të thellohet mes dy palëve. Nuk është se po të shkruaj që është një gjë e frikshme, por ama e rrezikshme po, nëse vazhdon kjo punë. Të kujtohen ata nëpunësit servilë e të korruptuar që silleshin vërdallë? Ti revoltoheshe dhe bërtisje me të madhe: Kur dreqin do të bëhet ky shtet? E pra këta mund të jenë të vetmit njerëz që nuk kanë ndryshuar aspak në këta pesë vjet. Janë po ata, po aty, madje nuk kanë ndryshuar edhe fizikisht. Të paktën kështu më duket mua.
Tani po bëhemi gati për zgjedhje. Në një anë është po ai Saliu që ke njohur ti. Në krahun tjetër këtë herë në krye është Edi Rama, i cili ka bashkuar votat me Ilir Metën. Kanë nisur debatet, mitingjet, prerjet e shiritave, fjalimet e bujshme, premtimet. Nuk është se po ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Mos e ki merak, fushata të tilla ke parë më parë plot. Por të presim e të shohim se çdo të ngjasë. Çfarë doja të të shkruaja tjetër? Ah, po se mos harroj. Varfëria e bashkuar me injorancën bëjnë që të gëlojnë në çdo anë mashtrues, servilë, kopukë, kodoshë, xhahilë, spiunë, makutë, njerëz syvëngër, të cilëve ti dije tua tregoje mirë vendin. Kështu që nëse do të ishe mes nesh do të vazhdoje të nxehesha me këta horra, por nga ana tjetër në këta pesë vjet Shqipëria është bërë edhe më e bukur. Është bërë më e bukur sepse po rritet një brez i ri më syçelë e mendjehapur. Një brez, i cili më në fund po shpëton nga komplekset e vjetra, fisnore, krahinore, baritore. Shpresa që na jep ky brez e bën Shqipërinë edhe më të hijshme. Unë vetë jam i sigurt që nuk do të kalojë shumë kohë dhe ky brez do ta marrë Shqipërinë në dorë. Vetëm kështu do të shpëtohet një herë e mirë nga komunizmi primitiv. Kështu që rri i qetë miku im. “Të rinjtë në krye”, a nuk ishte kjo ëndrra jote më e madhe?
I dashur Tani,
Unë do të kisha dashur me shpirt të të shkruaja më gjerë e më gjatë, porse më duhet të nisem për diku larg në veri. Do të të shkruaj sapo të kem mundësi dhe sidomos kur të kem ndonjë të re për të të thënë. Të jesh krejt i sigurt, ne nuk të harrojmë kurrë.
Të përqafoj fort, fort dhe me mall të shtuar
Miku yt
Tos Baxhaku Tiranë, 22 maj 2013