Ish-presidenti Bamir Topi tha se opozita e tanishme “po e lë pa fjalë”. Ai tha se “të punësuarit” e parlamentit do vijojnë të kenë të njëjtën histori.
Duke folur me tone të ashpra Topi tha se në personalitetin e deputetëve të opozitës janë dy linja “fyera dhe lëpirja”.
“Nuk janë burra, unë dëshiroj të ruaj veten nga këto përcaktime, por ata nuk janë burra. Ku është burrëria kur masakrohen në këtë mënyrë moralisht, dënohen në mënyrë konsegutive.
Ata degjenerohen në publik duke i sharë edhe një burrë normal që nuk merret me politik, nuk pranon fyerje të tilla, si mund të pranosh ti përfaqësues politik fyerje?
Në personalitetin e tyre janë dy linja, nga një anë është fyerja, nga ana tjetër është lëpirja. Kjo është shumë e rëndë. Ata do futen në parlament prapë dhe këtë histori do kenë. Ata kanë konsumuar edhe shantazhet politike, nuk bëjnë më”, tha Topi për Euronews.
Bamir Topi është shprehur se vetëm ndryshimi i rregullave të zgjedhjeve mund të sjellë ndryshimin në Shqipëri.
Ai kritikoi paktin Berisha-Rama në vitin 2008 për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Topi tha se Berishën nuk e lë sedra që të pendohet për gabimin që ka bërë në vitin 2008 dhe shtoi se sistemi që ata votuan atëherë, ka sjellë pasoja të shumta dhe krizë institucionale.
“Nga një anë kemi një opozitë inekzistente dhe në krizë. Madje në krizë identitare, nuk njihen më që janë opozitë. Një opozitë në pozicione të tilla është opozitë mjerane. Njerëzit duan ndryshim dhe t’i s’ja garanton.
Vetëm ndryshimi i rregullave të zgjedhjeve mund të bëjë ndryshimin. I kanë bërë bashkë këto rregulla. Edhe sot e kësaj dite Berisha nuk pendohet, nuk e lë sedra e tij që të pendohet. Për këta njerëz që nuk reflektojnë, këtyre duhet t’ua thuash sërish se çfarë drame i kanë shkaktuar vendit. Për balancën e institucioneve, por edhe në ditët e sotme.
Vjen presidenti Zelensky dhe nuk dihet nëse do të ketë takim me presidentin. Presidenti del në vend të dytë e të tretë, nuk është normale. Nuk mund të monopolizosh ti axhendën e takimeve”, tha Topi.