Partia Demokratike do të zhvillojë primaret më datën 1 Mars. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së ditën e djeshme (11 Shkurt), ku është caktuar që gara për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga radhët e demokratëve do të jetë në nivel qarku.
Tre propozimet kanë qënë: zhvillimi i primareve në nivel dege të PD, në nivel qarku, dhe kombëtare. Dhe në përfundim u vendos që gara të zhvillohej në nivel qarku.
Në mbledhjen e djeshme është diskutuar edhe rregullorja e primareve, ku është vendosur që të jenë kualifikuese. Pra, secili qark, do të ketë specifikat apo rregulloren e vet, në bazë të numrit të popullsisë, anëtarëve të PD-së, dhe numrit të kandidatëve.
Ata të cilët kalojnë pragun (secili qark do të ketë një prag), kualifikohen dhe emrat e tyre do të vijnë në Kryesinë e PD-së.
Më pas do të jetë Kryesia e PD që do të vendosë, se cili kandidat do të jetë në listat e mbyllura dhe të hapura. Ky vendim më pas do duhet të kalojë edhe në Keshillin Kombëtar.