Është tërhequr Enkeled Alibeaj por jo Lulzim Basha nga pretendimi për logon dhe vulën e Partisë Demokratike. Në një reagim, Partia Demokratike/Demokratët Euroatlantikë, e udhëhequr nga Basha tha se “nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë”. Vendimi vjen pak orë pasi Enkelejd Alibeaj u shpreh se është kryetar i një partie të re prandaj edhe nuk ka më interes për vulën dhe logon e PD-së.
Reagimi i Partisë Demokratike/Demokratët Euroatlantikë
Partia Demokratike/Demokratët Euroatlantikë, nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë. Çdo kërkesë e depozituar sot, nga individë që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, ka zero efekt në këtë proces.
Ata që kanë shpallur sot tërheqjen janë vetëdemaskuar, si autorët e një shantazhi politik për interesa të ngushta personale. Vetëm dy ditë më parë drejtues të Koalicionit Euroatlantik /PD – Demokratët Euroatlantikë, janë kërcënuar, se nëse Koalicioni Euroatlantik, nuk do t’ju nënshtrohej kushteve për bashkëpunim, duke hequr dorë nga identiteti ynë politik, do të përballeshin me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë.
Demokratët Euroatlantikë e kanë provuar me vepra, se nuk ka forcë të na shantazhojë dhe se, nuk biem pre e asnjë presioni. Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë për parime dhe vlera. Duhet të marrë fund koha kur interesat politike i mbivendosen të drejtës në këtë vend.
Ne do ta vazhdojmë pa u ndalur, betejën ligjore dhe i kërkojmë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më shpejt, bazuar në ligj, pa u ndikuar nga presioni, shantazhet apo lojërat politike që synojnë të marrin peng Partinë Demokratike për tu mbrojtur nga drejtësia.