Nga Kastriot Dervishi
Plumba në Korab
Vrasja e tretë dhe e katërt në kufi në vitin 1990.
Tre shokë, Enver Malko, Sokol Hado dhe Frederik Haruni, nisen nga Cërriku në drejtim të kufirit, Korabit, me qëllim arratisjeje.
Zgjodhën këtë vend sepse Haruni para dy vjetësh kish qenë ushtar në postë kufitare. Gjatë rrugës Enver Malko u rrëzua dhe u plagos. Nga kjo rrethanë, ata u ndanë Enveri dhe Frederiku bashkë dhe Sokoli veçan. Enveri dhe Frederiku mundën të avancojnë nëpërmjet përroit të Gramës, por ora 7.30 të datës 25 shkurt 1990 ranë nën plumbat e kufitarëve. Në vendin e quajtur Bjeshkët e Zonjave, Frederiku u vra (u varros pas tri ditësh), ndërsa Enveri u kap. Sokoli humbi çdo gjumë. Pas një muaji e shpallën në kërkim.
Kufoma e tij u gjet më 18.5.1990 në sektorin e postës së Vrejtës, në vendin e quajtur Përroi i Gramës, rreth 2 kilometra larg kufirit.
Enver Malko, i mbjetuari i vetëm nga kjo masakër, u arrestua dhe u akuzua fillimisht në bazë të nenit 47/gj (tradhtia ndaj atdheut, dënohej nga 10 vjet ose me vdekje) të Kodit Penal. Më pas, akuza iu ndryshua në bazë të nenit 127 të Kodit Penal (kalimi i paligjshëm i kufijve, dënohej deri në 5 vjet heqje lirie). Gjykata e Rrethit Dibër, me vendimin nr.91, datë 9.6.1990, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 1 vit e 6 muaj heqje lirie. Dënimin e vuajti në Repartin nr.301 Batër. U lirua me kusht më 22.2.1991 dhe më pas, me eksodin u largua në Itali.