HomeOP EDA po i jep të drejtë koha Lulzim Bashës?

A po i jep të drejtë koha Lulzim Bashës?

spot_img

Nga Ardit Haxhija
Koha shpeshherë është gjykatësi më i mirë i ngjarjeve politike. Lulzim Basha, një figurë e debatueshme brenda së djathtës shqiptare, është parë nga një pjesë e madhe e opinionit publik si një lider që nuk arriti të çonte Partinë Demokratike drejt pushtetit. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike kanë ngritur pikëpyetje nëse në të vërtetë Basha kishte të drejtë në disa nga vendimet dhe denoncimet e tij.

Premtimet e Sali Berishës për një koalicion të fortë opozitar janë shuar. Koalicioni i prezantuar para pak ditësh është më i dobëti i mundshëm, duke treguar se qëllimi kryesor i Berishës nuk është marrja e pushtetit, por mbajtja e logos së Partisë Demokratike. Kjo vërteton paralajmërimet e Bashës se rruga e ndjekur nga Berisha nuk do të çonte opozitën drejt fitores, por drejt izolimit dhe fragmentarizimit.

Procesi i primareve, i cili u propagandua si një risi demokratike për të zgjedhur kandidatët më të mirë, është zhvleftësuar nga vetë Berisha. Ai pranoi publikisht se primaret nuk do të jenë kriteri kryesor për përzgjedhjen e kandidatëve, duke dëshmuar se e gjithë kjo ishte një farsë e përdorur për legjitimim të brendshëm, e jo për një reformim real të opozitës.

Denoncimet e shumta të Bashës gjatë kohës kur ai drejtonte opozitën, sot po mbështeten nga SPAK. Hetimet për çështjet e inceneratorëve dhe korrupsionin në nivelet e larta po vërtetojnë akuzat e Bashës, të cilat dikur u hodhën poshtë si të pabaza. Kjo tregon se ai nuk gaboi në strategjinë e tij për ta ndërtuar opozitën mbi një platformë ligjore dhe të orientuar drejt perëndimit.

E djathta shqiptare kishte nevojë për më shumë kohë për t’u reformuar dhe koha tregoi se nuk ishte gati për pushtet në 2021. Mungesa e një alternative të besueshme dhe e një strukture të unifikuar opozitare bëri që Partia Socialiste të fitonte sërish, duke thelluar krizën brenda PD-së.

Pa sjellë një kastë të re politike, që zgjon simpati, entuziazëm, besim dhe energji, nuk do të ketë rotacion politik. Vazhdueshmëria e të njëjtave figura, e të njëjtave konflikte dhe përplasje të brendshme ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve tek opozita. Kjo ishte një ndër arsyet pse Basha kërkoi një ndryshim të thellë në PD, një përpjekje që u pengua nga Berisha dhe grupi i tij.

Pavarësisht skandaleve të shumta të qeverisë, si inceneratorët dhe arrestimet në nivelet më të larta drejtuese, e majta vazhdon të forcojë pozitat e saj. Kjo ndodh sepse përballë saj gjendet një opozitë e përçarë, e paaftë për të krijuar një alternativë të qartë dhe të besueshme për qytetarët. Mungesa e një opozite të strukturuar i jep qeverisë avantazhin e pakundërshtueshëm të stabilitetit politik.

Sot, më shumë se kurrë, në krye të Partisë Demokratike duhej të ishte Lulzim Basha si e vetmja shpresë për ta sjellë të djathtën në pushtet. Ai kishte një vizion për modernizimin e PD-së dhe krijimin e një opozite të orientuar drejt vlerave europiane. Por, me largimin e tij dhe rikthimin e Berishës, opozita humbi mundësinë për të rifituar terrenin politik dhe për të konkurruar seriozisht për pushtet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular