Ne shqiptarët kemi “fatin e madh” të kemi një kryeministër, që flet kaq shumë sa edhe gjinkallat dhe bretkosat në kohën e shumimit do ta kishin zili. Ai ka pohuar disa herë që deri në vitin 2013, Shqipëria ka qenë kënetë e banuar dhe drejtuar nga bretkosat, zhapikët, shushenjat, bizhdollanët, bubuzhelat, gjinkallat, urithët, me kryetar një Buf Kënete. Me ardhjen në pushtet të rilindjes, Këneta u shndërrua në një parajsë tokësore me kryeministër njeriun e gjithëditur: shkrimtar, arkitekt, ekonomist, artist, sportist, astrolog. gjeolog, lider global, fizikant, me doktoraturë të veçantë si ngatërrestar, intrigant, antishqiptar dhe rast i pashëmbullt me gjysmën e qeverisë në burg dhe gjysmën nën hetim. Dikur diktatori Enver Hoxha e hapte ditën e punës me letrat nga populli, kurse ky, ua neverit mëngjesin e varfër shqiptarëve duke dalë në TV, e duke shitur bëmat e qeverisë si sukses, një e nga një, si turku tespihet kur sajon përralla ditën me diell. U mor me Vlorën dhjetë vjet duke harxhuar miliarda Euro, e qindra mijëra ton beton e hekur, duke e deklaruar përfundimisht perlë të Ballkanit. Vërtetësisht duhet të jesh rrot mulliri, ose ta kesh kosheren bosh pa një bletë brenda, të bësh deklarata të tilla. Le të përshkruajmë pak këtë perlën edvinjane të shekullit të XXI.

1.Kur rilindja erdhi në pushtet më 2013, Vlora (Bashkia Vlorë, Komuna Qendër, Novoselë, Shushicë, Orikum) kishte gjithsej 140.000 banorë. Nga të dhënat e Censusit, sot Vlora ka 83.000 banorë. Vlora perlë e Ballkanit shndrit aq shumë sa njerëzit ia mbathin çdo ditë, sepse qyteti ka jetë tre muaj e pastaj banorët ngrohen në diell e ushqehen me lajme.
2.Ndërtimi kaotik i qytetit. Nuk ka asnjë plan për zgjerimin e tij. Vetë pozicioni gjeografik i Vlorës (sipërfaqe e kufizuar) nuk lejon më ndërtime brenda në qytet duke përfshirë Vlorën e Vjetër dhe pjesën deri te Tuneli. Brenda qytetit vazhdon të ndërtohet dhe dëndësia e ndërtimeve kalon deri në marrëzi sidomos në pjesën bregdetare. Pyetja shtrohet: Nga do të zgjerohet qyteti o i gjithëdituri dhe mëndjendrituri Kryeministër? Nga veriu, jugu, lindja, perëndimi në fusha apo kodrinat?
3.Furnizimi 24 orë i qytetit me ujë të pijshëm. Çfarë nuk ke thënë e je zotuar o i gjithëditur? Sa herë je betuar se brënda katër vitesh 2013- 2017 Vlora, do të ketë ujë 24 orë. Gënjeve si derri ( shprehje popullore kjo) me këtë premtim. Para se të fillojnë punimet në Sazan e Zvërnec, nga dhëndri i Trampit një pjesë e ujit që furnizon Vlorën do t’i kalojë Sazanit e Zvërnecit. Vlonjatët duhet të hapin puse nëpër oborre e pallate. Zvërneci e Narta ka shekuj që mbijeton me puse.
4.Grabitja e lumenjve. Me atë mëndjen tënde të ndritur, pasi grabite tokat në Dhërmi e Himarë, lejove oligarkët të ndërtojnë rezorte e hotele për miliardarët. Si rrotë mulliri që je bashkë me oligarkët e babëzitur nuk llogaritët mungesa e ujit në ato zona. Iu vërsulët lumit Shushica 84km i gjatë, që derdhet në Vjosë, ta çoni te Zamiri, Gjikuria, Kastrati, Fusha, Xhaçka e gjithfarë hajdutësh të rilindjes. Në brigjet e tij gjenden 37 (tridhjeteshtatë) fshatra me rreth 50.000 (pesëdhjetëmijë) banorë, të cilët janë të detyruar të braktisin vendbanimet në mungesën e ujit. Tani i je vërsulur lumenjve e përrenjve të Dukatit, Tragjasit e Radhimës. Aty rezistenca është labçe, ballas deri në përleshje fizike. Nëse në fshatrat e begata e plot histori të Lumit të Vlorës, rezistenca është e moderuar dhe ka dashuri të madhe për partinë socialiste, me rradhimjotët, tragjasjotët e dukatasit ka “Çeçua biçak” që do të thotë: Nëse u bie në qafë atyre banorëve ( Në këtë rast t’u grabisësh ujin) ata jo vetëm që nuk të lejojnë po të presin “veglat” me biçak e të lënë pa to.
5.Bulevardi Vlorë-Ujët e Ftohtë nga katër korsi e ktheve dy, një ferr i vërtetë për udhëtarët. Shpesh makinat duhet të kthehen në gjërësinë e zhapikut, që të mund të lëvizin lirisht.
6.Mungesa e një industrie ushqimore, zhvillimit të blegtorisë e bujqësisë. Vlora ka pasur traditë përpunimin e konservimin e perimeve, frutave, peshkut e mishit, ka pasur institut të ullirit, pemëtarisë e vreshtarisë me famë në Europë, flotë peshkimi për t’u pasur zili, bujqësi e blegtori që mund të mbanin miliona turistë në sezon etj etj. Po ti more KM që rri më shumë në ajër se në tokë, me gjithë bandën e oligarkëve, hajdutëve të qeverisë, ke bërë që dhjetë milion turistë të mbahen me mishin, miellin, bulmetin, perimet, frutat, lëngjet, e Maqedonisë, Sërbisë, Greqisë e Italisë? Sa për peshkun ai vjen nga Singapori e Kina, flota e peshkimit dikur krenari e Vlorës, sot pothuaj inekzistente, është degdisur në Zvërnec në gjendje e kushte të mjerueshme. Dhe ai peshk që kapet kalon menjëherë për eksport.
7.Në gjithë gjatësinë e Lungomares, ku leku e betoni janë hedhur lumë, derdhen ujërat e zeza të mbi 30.000 banorëve në shtatë kanale të maskuar ose jo. Darkave kur era dhe flladi fryn nga deti në tokë gjithë perla turistike e KM-së qelbet erë fekalesh.
8.Vlora një qytet nga më të gjelbëruarit në Ballkan sot është rruar e qethur me briskun e rilindjes. Norma ndërkombëtare në zonat urbane është 9m2 gjelbërim për një banor. Vlora para viteve ’90 e ka pasur 7m2 gjelbërim për banor, në vitin 2013 4m2 gjelbërim për banor, sot nën drejtimin e Rilindjes ka arritur 1,6m2 gjelbërim për banor dhe vazhdon të zvogëlohet. Kjo do të thotë më pak parqe e lulishte, më shumë ndotje ajri, më pak jetë të shëndetshme, më shumë të sëmurë e të vdekur. Në Vlorë është llogaritur, që për çdo pemë të mbjellë nga rilindja ( 50% e tyre të thara ose të pazhvilluara) është derdhur 10m3 beton.
9.Në Vlorë këto 12 vjet rilindje nuk është ndërtuar asnjë kopësht, çerdhe, apo shkollë e re, asnjë Muze (Ebrejtë po e bëjnë me paret e tyre) asnjë galeri artesh, asnjë bibliotekë apo park shlodhjeje. Vlora ku është ngritur kinemaja e parë publike në Shqipëri, sot nuk ka kinema; në 5km rrugë Vlorë-Lungomare-Ujët e Ftohtë nuk ka asnjë vepër arti, asnjë vend argëtimi, për fëmijë e të moshuar, teatër veror e kinema verore, asnjë park në kuptimin e vërtetë, ku njerëzit të pushojnë e argëtohen në çdo orë të ditës e natës etj. Sipërfaqja 5,5 ha e portit iu dha Zamirit të ndërtojë bllok pallatesh banimi deri të vija e ujit. Vlora e meritonte aty një park me pemë, lulishte, pista vrapimi, e fusha sportive. Realisht Lungomare ofron vetëm beton, pica, peshk importi dhe lëvizje brovniane.
10.Mushkrinë e Vlorës, Pyllin e Sodës e ke lënë të kafshohet e grabitet çdo ditë nga hajdutët e rilindjes. Sa i përket traditës, historisë e trashëgimisë kulturore ia nxorre brinjët Sheshit të Flamurit, tjetërsove mjedisin me idjotësira te Muzeu i Pavarësisë, para Bashkisë ndërtove një krokodil betoni… etj.
Vijon.