SPAK ka hapur një sektor të posaçëm në faqen e saj online që do të shërbejë për denoncimin e krimeve zgjedhore. Ky hap vjen pas publikimit nga ana e SPAK të strategjisë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
Hetimet në terren nga SPAK u shigjetuan nga kryeministri Rama që e quajti “lajthitje”. Përgjigjen ia ktheu vetë kreu i SPAK Altin Dumani që tha se hetimi i veprimeve penale për krimet zgjedhore do të bëhet “pa asnjë lloj paragjykimi”.
Dumani u shpreh se askush që zbaton ligjin dhe Kushtetutën në lidhje me mbajtjen e procesit zgjedhor nuk duhet të ketë frikë nga strukturat speciale që do të monitorojnë procesin. Ai shtoi se SPAK do të nisë hetimet sa herë do të ketë raste të dyshuara dhe fakte penale për krime zgjedhore.
“Askush nuk duhet të ketë frikë nëse zbaton ligjin dhe Kushtetutën. Ne e kemi detyrim ligjor dhe kushtetues që, sa herë kemi raste që përbëjnë fakt penal, jemi të detyruar të nisim hetime,” – tha Dumani. Dumani gjithashtu theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e krimeve zgjedhore.