Fituesi i zgjedhjeve gjermane Friedrich Merz dhe Social Demokratët (SPD) e Olaf Scholz përfunduan bisedimet paraprake për formimin e një koalicioni.
Ata premtuan se do të ashpërsojnë masat me migracionin ilegal, do të mbështesin industrinë dhe do të nxisin rritjen e ekonomisë.
Kancelari në pritje Merz dëshiron të krijojë një koalicion deri në Pashkë, e cila bie më 20 prill të këtij viti, sipas Reuters.
Të dyja partitë synuan një marrëveshje përpara javës së ardhshme, ku përmes Parlamentit të ringjallin rritjen e ekonomisë së Evropës dhe të rrisin shpenzimet ushtarake.
“Ka një urgjencë të madhe, veçanërisht në lidhje me buxhetin (ushtarak) të Bundesëehr-it”, tha Merz.
Në Gjermani, ku koalicionet janë normë, qeveritë zakonisht formohen në dy faza, ku partitë fillimisht zhvillojnë bisedime eksploruese dhe më pas hyjnë në bisedime formale për koalicionin.
Blloku konservator CDU/CSU i Merz-it dhe SPD-ja kanë bërë diskutime për çështje të tilla si migracioni dhe pagesat e mirëqenies, duke u bashkuar pas një fushate të mprehtë zgjedhore.
Në fjalën e tij hapëse, Merz premtoi masa më të ashpra për të trajtuar migracionin e paligjshëm, duke përfshirë largimin e njerëzve në kufijtë e Gjermanisë dhe zgjerimin e kontrolleve kufitare, duke premtuar se do të veprojë së bashku me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian.
Ai tha gjithashtu se Gjermania duhet të synojë rritjen ekonomike 1%-2% dhe kostot më të ulëta të energjisë për të ndihmuar bizneset.
“Në koordinim me fqinjët tanë evropianë, ne do të refuzojmë njerëzit në kufijtë tanë të përbashkët, duke përfshirë azilkërkuesit,” tha Merz.
“Ne duam të marrim të gjitha masat ligjore për të reduktuar migrimin e parregullt në përgjithësi. Ne do të zgjerojmë masivisht kontrollet kufitare që nga dita e parë e qeverisë sonë të përbashkët dhe gjithashtu do të rrisim ndjeshëm numrin e refuzimeve me këto kontrolle kufitare,” tha Merz.