Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, Diana Toma, farmaciste e njohur dhe ish-Presidente e Urdhrit të Farmacistit, gjatë një interviste në Euronews Albania, u shpreh se shëndetësia mbetet një nga problemet më të mëdha për qytetarët shqiptarë.
Ajo tha se politika ka ndikuar negativisht në këtë sektor, duke ndërhyrë në mënyrën e funksionimit të profesionistëve të shëndetësisë.
Toma, e cila më parë nuk ka qenë e angazhuar politikisht, tha se ka vendosur të bëhet pjesë e politikës pasi për vite me radhë është përballur me sfida dhe barriera të vendosura nga vendimmarrësit.
Si ish-drejtuesja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, ajo ka parë nga afër se si zgjidhjet e propozuara shpesh nuk janë zbatuar për shkak të interesave klienteliste. Për këtë arsye, ajo e konsideron të domosdoshme përfshirjen e profesionistëve në politikë për të sjellë ndryshime të vërteta.
“Duke iu referuar zhvillimeve apo problematikave të shtrira ndër vite, ajo që dhemb më shumë tek njerëzit është shëndetësia, ajo që çalon shumë në shtetin shqiptar është shëndetësia. Dhe mendoj që ky është shkaku që në ditët e sotme politika kërkon të preki ndërgjegjen e qytetarëve. Së pari duke zgjuar ndërgjegjen për të votuar dhe pastaj për ta mbështetur me profesionist që vijnë nga këto fusha. Unë do veçoja një karakteristikë të disa forcave politike tek këta profesionistë që po ftojnë, profesionist të cilët më parë kanë qenë të paangazhuar, personalisht nuk kam qenë e angazhuar. Jo pak jam hasur me pyetjen, nga kolegët apo nga ata që më njohin: si është e mundur sepse gjithmonë ke preferuar të qëndrosh larg politikës. Kisha vendosur që t’i qëndroja larg politikës dhe shumë pranë problemeve të profesionit tim. Por shumica e problemeve të profesionit tim vinin dhe shkaktoheshin nga politika.
Dhe nuk është se vajtëm ne tek politika, erdhi politika e cila u fut dhe trazoi mënyrën e mirë të të bërit profesion tek ne. Jam përballur me komisione parlamentare që në vitin 2003. Kam menduar se një politikan e ka për detyrë ta dëgjojë, ta kuptojë dhe ta realizojë drejtë atë që një profesionist, veçanërisht i sferave shumë të rëndësishme apo jetike siç është shëndetësia, duhet të aplikojë në punën e vet. Rezultazi kush ishte? Një shfaqje teatrale shumë e shëmtuar, ku ti me tërë pasionin, me tërë përkushtimin për të zgjidhur këtë lloj problematike, shkoje e argumentoje dhe jo vetëm tregoje cili ishte problemi, por fare qartë u tregoje cila ishte zgjidhja për të dalë nga ky problem. Dhe ajo zgjidhje nuk vinte kurrë në momentin kur shihje se zgjidhja binte ndesh me interesat e ngushta klienteliste. E preka shumë pranë këtë lloj problematike për 10 vite rresht që unë kam qenë drejtuese e institucionit e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Atje u futa me të njëjtin parim, me të njëjtin devocion, u përplasa edhe më egër sepse i pash edhe më nga afër reagimet e politikës shqiptare. Dhe kjo më bëri që një ftese unë t’i përgjigjem me një përgjigje pozitive”, u shpreh Diana Toma.