Koçiu pret homologun e saj italian, Schillaci-Marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi për shërbimin neonatal në katër spitale në vend
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka pritur sot në një vizitë zyrtare në Tiranë, ministrin e Shëndetësisë të Italisë, Orazio Schillaci.
Kjo vizitë vjen në kuadrin e një bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet dy ministrive homologe në fushën e shëndetësisë, të konkretizuar me një sërë marrëveshjesh dypalëshe.
Me qëllim rritjen më tej të këtij bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e shëndetësisë, në praninë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe homologut të saj Italian, Orazio Schillaci u nënshkrua Deklarata e Mirëkuptimit mes MSHMS-së dhe Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë.
Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli dhe Drejtoresha e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë, Stefania Vizzaccaro.
Bazuar në Strategjinë e Shëndetit 2021-2030 dhe përvojës së Italisë, kjo marrëveshje synon
shkëmbimin e praktikave dhe njohurive më të mira në sektorin e shëndetit të nënës-fëmijës dhe të porsalindurve.
Ministrja Koçiu theksoi se “me Ministrin e Shëndetësisë së Italisë, Prof. Orazio Schillaci, hodhëm një hap të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona”.
Koçiu bëri me dije se nëpërmjet asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta shëndetësore do të rritet cilësia shërbimeve neonatale në katër spitale kryesore, në maternitetet “Koço Gliozheni” dhe Mbretëresha Geraldinë në Tiranë, si dhe në spitalet e Fierit dhe Dibrës.
“Me nënshkrimin e Deklaratës së Mirëkuptimit, angazhohemi për përmirësimin e shërbimeve neonatale në maternitetet e Tiranës, Fierit dhe Dibrës, për të siguruar kujdes më cilësor për nënat dhe foshnjat”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.
Po ashtu, vijoi ajo, do të vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit në sektorin farmaceutik, me fokus në trajtimin e sëmundjeve të rralla, përmes Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të Shqipërisë dhe Agjencisë Italiane të Barnave.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se forcimi i partneritetit mes vendeve tona është një garanci e shkëlqyer për një sistem shëndetësor më të fortë dhe më cilësor për qytetarët tanë.
