Nga Prof. Dr. Lufter Xhuveli
Shkrimtari Shefqet Meko nuk po ndalet së shkruari. Këtë radhë me një roman që përfaqëson një kontribut të spikatur për letërsinë e re moderne shqiptare. Romani “Rënia” është një dëshmi autentike e “divorcit historik të kohës”,nga që ngjarjet shtrihen në një periudhë kohore nga më të rëndësishmet në historinë moderne të Shqipërisë. Është një periudhë e cila kulmon me ngjarjet e fundvitit 1990.Ngjarje që tronditën themelet e të ashtuquajturit pushtet popullor dhe hapën rrugën e një ndryshimi rrënjësor,drejt pluarizmit politik dhe demokratizimin e vendit sipas modelit perëndimor.
“Rënia” është një roman kryesisht psikologjik, njëherësh autobiografik, ku përmes penelatës artistike gërshetohen ngjarjet e jetuara dhe të vërteta me ato ireale dhe personazhet realë, me fantazinë dhe sajesat letrare. Kjo nuk është një gjini e lehtë. Në kësi rastesh, autori rrezikon të përsërisë vetveten, shkrimi të bjerë në pasivitet dhe me kalimin e faqeve, të humbasë kurioziteti për të vazhduar leximin deri në fund. Kur fillova të lexoj romanin, mu krijua përshtypja se autori po ecte mbi litar si akrobatët e cirkut, ku rreziku i mësipërm nuk përjashtohej. Por falë një stili novator, dinamik dhe të zhdërvjellët të të shkruarit, të trashëguar nga përvoja e tij mbi 20 vjeçare si gazetar, me fjali të ngjeshura, plot me pyetje e pikpyetje, me dilemma të pafundme, përsiatje, me thënie e kundërthënie, me dialogje interesante dhe një këndvështrim realist, autori ia ka dalë me sukses dhe i ka kapërxyer mrekullisht këto vështirësi, duke na dhënë një vepër letrare, të cilën nuk mund ta lëshosh kollaj nga dora.

Të marrësh përsipër të analizosh dhe paraqesësh artistikisht këtë periudhë veçanërisht të rëndësishme historike dhe tepër të komplikuar, është një ndërmarrje sa e guximshme aqë dhe e vështirë, por që autori ja ka dalë plotësisht me sukses. Kjo vihet re që në titull. Titulli i romanit është sa intrigues aqë dhe metaforik. Ai merr shkas nga dështimi i një aventure të sinqertë dashurie rinore, ku refuzimi përfundon me kthimin e unazës e cila bie në tokë dhe rrokulliset. Në të vërtetë ky episod,metaforikisht paralajmëron për një ngjarje madhore që do të ndodhë në Shqipëri, siç është ajo e rrokullimës së një sistemi politiko- shoqëror i cili i kishte mbaruar ditët e tij dhe kishte ardhur koha të zëvëndësohej.
Autori i vendos ngjarjet në Tiranë, kryesisht në Shkolla e Lartë B,(Që të kujton Institutin e Lartë Bujqësor, aktualisht Universiteti BujqësorI Tiranës), një mjedis studentor dhe arsimor, të cilin ai e ka njohur mirë si ish-student dhe kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë”, ose“Gazeta B” siç e quan thjesht autori.
Në roman si në një film me xhiro të ngadalësuara, jepet Procesi i kalbëzimit të sistemit, trysnia e realitetit të trishtë të cilin “make-up”-i dhe propaganda e regjimit, nuk mund ta mbulonte më, jepet skanimi, çmontimi dhe shëmbja e sistemit diktatorial si dhe tronditja dhe ndryshimi evolutiv I ndërgjegjes dhe këndvështrimit politik të ngjarjeve dhe fenomeneve nga rinia studentore dhe inteligjencia e kohës, të shprehura këto përmes protogonistit kryesor të romanit, Maks Prifti dhe bashkëkohësve të tij.
Romani “Rënia” i Shefqet Mekos, është një analizëkapilare e shprehur artistikisht e momenteve tranzitore, kur procesi i “fermentimit” për rrëzimin e “murit shqiptar të Berlinit” po ecte me shpejtësi. Është pasqyrim i një optike të re për vrasjen e frikës, akumulimin dhe mpiksjen e revoltës qytetare kundër mjerimit dhe varfërisë ku e kishte katandisur “Pushteti i Popullit” njeriun e thjeshtë. Trysnia që ushtronte varfëria, mungesa e lirive, frika nga represioni, humbja e shpresës, bënë që gradualisht në masën e njerëzve të formësohej dëshira për ndryshim dhe rebelim kundër sistemit diktatorial.
Në roman përshkruhen me vërtetësi ndryshimet në ndërgjegjen dhe psikologjinë e njerëzve, të studentëve, të pedagogëve dhe të qytetarëve të thjeshtë. Ndryshimi që po ndodhte jepet më së miri përmes zgjimit të ndërgjegjes qytetare të vet personazhit kryesor të romanit që është Maks Prifti. Një gazetar i ri, i talentuar, i ndershëm, i drejtë, por disi naiv dhe i indoktrinuar me ideologjinë e kohës për “pushtetin Popullor” dhe besimin te udhëheqësi. Duke qënë pjesë e makinerisë dhe ingranazheve propogandistike të kohës, ai fillon të vërë re shumë raste kur e vërteta ishte ndryshe nga sa thuhej në gazeta, radio apo television. Duke u ndeshur me intrigat e kohës Maks Prifti thotë me vete:”….por a është pjesë e pushtetit popullor intriga ?” Dhe pikërisht këtu fillojnë dyshimet zhgënjimet dhe lëkundjet e para, por që përsëri ai vazhdon të besojë në thënien se: “Uji del i pastër nga burimi, por turbullohet poshtë”. Më tej, paralelisht me zhvillimin e ngjarjeve, vazhdon edhe ndërgjegjësimi i Maks Priftit i cili në një moment reflektimi thotë: “Ditët vërshonin me shumë lajme dhe pak e më pak gjera për treg. Atdheu im prodhon më shumë fjalë e dogma se sa mall për treg”. Ai arrin deri aty sa anatemon disa praktika allashqiptarçe kur thotë: “Mallkuar qoftë kush shpiku kontributin vullnetar për një dhomë e guzhinë”.
Zhgënjimi totali gazetarit Maks Prifti dhe reagimi i tij vazhdon më tej kur ai arrin në konkluzion dhe thotë:”A nuk është e gjithë hierarkia qeverisëse një hipokrizi ?” dhe u jep të drejtë atyre mijra të rinjve që u dyndën në dyert e ambasadave në Korrik të 1990-ës. Dhe më në fund, gazetari Maks Prifti i ndërgjegjësuar plotësisht për kalvarin e pafund të vuajtjeve dhe mjerimit ku e katandisi “Pushteti i Popullit” popullin e vet, për izolimin e vendit dhe persekutimin e mijra të pafajshmëve, bëhet përkrahës i protestave studentore dhe i gjithë revoltës popullore që po ziente gjithandej. “Populli ndihej i tradhëtuar nga ajo që ai e quante “Nena Parti” dhe ishte vërsulur në rrugë e sheshe” vërente Maks Prifti, ndërsa po ndodhte “Divorci historik”. Më në fund, pas një sërë zhgënjimesh, vuajtjesh, dilemash dhe ngjarjesh drastike, edhe heroi i këtij romani, si mijëra të tjere, një ditë e braktis Atdheun dhe e sheh veten “të çmendur” në dhe të huaj.
Romani “Rënia” është një libër plot jetë, çka buron nga njohja e thellë e jetës së thjeshtë nga ana e autorit. Romanin e bën veçanërisht tërheqës fakti që ai i vendos ngjarjet në rrugët e sheshet konkrete e të njohura të Tiranës, të qytezës studentore në Kamëz, apo në Lushnje e në Pukë, duke hequr dorë nga rutina anonime e toponimisë siç ndodh rëndom nëpër shkrime, kur i quajnë: “qyteti N”, “një qytet i vogël në veri apo qyteze minatorësh në jug” e të tjera si këto. Romani të intrigon që bashkë me heroin e tij Maks Prifti edhe ti të udhëtosh në “Rrugën e Durrësit, në lagjen e Brrakës apo në Sheshin Skënderbej”, të qëndrosh përballë Hotel Dajtit, apo te 15 katëshi” në Tiranën e “viteve socialsite”.
Në roman gjen të alternuara dashurinë me politikën, shpresën me zhgënjimin, optimizmin me pesimizmin, jetën e thjeshtë studentore me ngjarjet e mëdha të kohës, ashtu siç gjen përshkrime e krahasime interesante si psh:”….ata ishin larguar siç largohet kolonia e re e bletëve nga kosherja e vet”; ose” …gjethet e vjeshtës që binin me një dembelizëm të përgjumur”.
Mjerimi dhe varfëria stigmatizohen jo vetëm në radhët e gjata për qumësht e vezë, por në mënyrë origjinale, sidomos me skenën groteske të radhëve të gjata që mbahen natën për blerjen e brekëve, metaforikisht autori pasqyron të vërtetën e dhimbshme se “ky pushtet na la edhe pa brekë…”!!)
Me një stil lakonik dhe të drejtpërdrejtë të të shkruarit, në romanin e Mekos skaliten dhe portretizohen një galeri e tërë personazhesh dhe karakteresh të cilët të mbeten në mendje. Të tillë si : Ram Kastrati, Roza Kukuja dhe Grigor Bisha të cilët përfaqësojnë intelektualët e rinj me ideale te pastra dhe vizion për të ardhmen e vendit. Efektin e represionit deri në viktimizim dhe depersonalizim i jep permes fatit të Emës, Landës dhe familjes Budina apo piktorit Kukuja. Një vend të veçantë zë ekspozimi dhe stigmatizimi i ligësisë, i meskinitetit, i intrigantëve, opo thashethemexhinjve që spekullonin me pushtetin që kishin, të përfaqësuara nga Siri Hyska dhe Zeqo Vaqarri, si dhe çjerrja e maskës e kameleonëve politikë si Miço Delvina apo babai i Emës, të cilët nga terrorizues të shpirtërave rinorë, kthehen në mbështetës të flaktë të ngjarjeve demokratizuese. Në roman gjithashtu, përmes ish të burgosurit politik Laver Dushku, të tërheq vemëndjen fati i pasigurt dhe zhgënjimi i tij dhe i bashkëvuajtësve si ai, nga kasta e re politike e sapoformuar që po drejtonte përmbysjen e sistemit totalitar.
Romani mbyllet me një ngjarje tragjike. Ema, ish e dashura e Maks Priftit, kur po “arratiseshin” me anije për në perëndim, në një moment të rënduar psikologjik,hidhet në det dhe mbytet në ujërat e Adriatikut. Mendoj se një fund i tillë ështē i panevojshë dhe i pa justifikuar, sipas mendimit tim, por shkrimtari Meko “të vret kur nuk e pret”. Është romani i dytë i Shefqet Mekos me një fund tragjik (Pas “Viza Amerikane”). Duket sikur autori i druhet mbylljes me “happy end”. “Happy end-i”, ka qenë dhe mbetet edhe në ditë tona një zgjidhje apo instrument i mirëpritur dhe përbashkues i ndjenjave dhe shijeve njerëzore në letërsi, kinematografi dhe zhanre të tjera. Me sa duket, Meko ka zgjedhur të jetë “siç do vetë” në fabulat interesante të librave të vet, megjithse unë do sugjeroja, atë që shënova më sipër. Përfundimisht, libri dëshmon një rritje e progress krijues të autorit, që gëzon miqtë dhe lexuesit e vet.
Lufter Xhuveli, Tiranë, Janar 2025.