HomeOP EDNjë histori e largët që përsëritet

Një histori e largët që përsëritet

spot_img

PËLLUMB NAKO

Dita e shënuar e 7 Marsit kaloi. E ngjashme me shumë e shumë të tjera, ajo u shoqërua me urime të panumërta, ku në pjesën e parë të skenës dominojnë ato zyrtare. Në thelb, festa e 7 Marsit, më shumë se një festë e cila sjell gëzim, më tepër ndjell nostalgji, madje ndonjëherë edhe dhimbje. Kjo, sepse kujtohet mësuesi i parë dhe për shumë nga ne, ai nuk është më. Kujtohen vitet e para të shkollës dhe ndërgjegjja të bren për gjërat që nuk ke bërë mirë. Gjithçka ka kaluar dhe asgjë nuk kthehet pas. Kujtimet, edhe ato zbehen, i zë pluhuri i harresës. Nga të gjithë mësuesit, në nostalgjinë e 7 Marsit, në mënyrë specifike kujtohen ata të Gjuhës Shqipe. Është e natyrshme, sepse është e vetmja lëndë mësimore, e cila ka dëshmorët e saj. Ndaj dhe asnjëherë në çdo 7 Mars nuk mund të qëndrohet pa përmendur mësuesit martirë, të cilët dhanë jetën e tyre për këtë pasuri, në një epokë egërsie kur shqipja dhe vetë Shqipëria shiheshin me armiqësi. Disa prej tyre vepruan në mënyrë të hapur dhe e paguan me jetë, por akoma më shumë të tjerë dhanë kontributin e tyre në mënyrë më të fshehtë dhe më së shumti sot kujtohen nga të afërm. Nuk ka një enciklopedi ku të evidentoheshin të gjithë ata mësues e mësuese që u mësuan shqiptarëve gjuhën e tyre, në një kohë kur ishte rreptësisht e ndaluar, rreptësisht kohë e egër.

Krahas emrave të shquar, ka pasur edhe të tjerë që për arsye nga më të ndryshmet kanë mbetur më pak të njohur, por që kanë kontribuar po aq me guxim në mbijetesën e gjuhës shqipe, në mbijetesën e identitetit shqiptar. Në fshatin e ndritur të Vokopolës së Beratit, në ato kohë të egra për gjuhën tonë, ka jetuar e milituar edhe Llambi Nasi Dhaskali. Mik i Babë Dud Karbunarës dhe i Hil Mosit, kontributi i tij ka qenë i guximshëm dhe patriotik. Kontribut ky, që është njohur nga Kuvendi Popullor i dikurshëm, i cili e ka dekoruar “Për veprimtari patriotike”.

Në periudhën ndërmjet viteve 1870-1927 ky patriot, megjithëse kishte emërimin zyrtar si mësues i gjuhës greke në Vokopolë, fshehtas u mësonte fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe. Personazhe të këtij standardi nuk ishin thjesht mësues, por sidomos patriotë. Në fakt, këtij fshati nuk i kanë munguar aktet patriotike ku spikat ngritja e flamurit të pavarësisë të Ismail Qemalit për gjithë zonën e Beratit. Nëse do t’i hidhej një sy trungut familjar të Llambi Nasi Dhaskalit, do të shihej qartë se mbiemri Dhaskali nuk është i rastësishëm. Nipi i tij, po ashtu i quajtur Llambi Dhaskali, ka qenë për dekada mësues i nderuar dhe drejtues shkolle në zonën e Beratit. Po ashtu edhe e shoqja, Liria. Megjithatë, nuk është historiku i dy brezave mësuesish vokopolarë ajo që merr rëndësi në këto kohë të sotme. E veçanta është se shpeshherë, trashëgimia bën që individë të ndryshëm të jenë të pranishëm në momente kur historia e stërgjyshërve të tyre përsëritet.

Ata janë aty për të ringjallur stërgjyshërit e nderuar, pavarësisht se kohët kanë kaluar dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Dhe fëmijët e shqiptarëve ndodhen përsëri në udhëkryq. Me një fiksim të ngurtë për kohët e dikurshme dhe me aspak të asaj që ndodh, vëmendja e penave që formojnë e ndikojnë popullatën e gjerë shkon gjithmonë te martirët e gjuhës shqipe dhe pak, ose aspak nuk qëndrohet tek ajo që çfarë po ndodh në mes nesh dhe pranë nesh, në mënyrë që akte të tjera të pasqyrohen dhe historia të pasurohet. Po ashtu, edhe kohët që ndryshojnë. Në këto kohë që jetojmë, nuk janë të huajt që vijnë e të pengojnë, apo edhe të vrasin ata mësues që u mësojnë fëmijëve shqip fshehtas apo në mënyrë të hapur. Përkundrazi janë me qindra e mijëra shqiptarët që kanë marrë rrugët e mërgimit dhe përsëri fëmijët e tyre nuk e kanë të lehtë që atje në dhe të huaj, të mësojnë shqip.

Dikur nuk u lejohej gjuha shqipe në Shqipëri, sot nuk kanë mundësi të mësojnë po atë gjuhë, apo të kenë gjithë arsimimin bazë në shqip nëpër shkolla publikë në dhe të huaj. Pra, diaspora shqiptare ndodhet para situatash të vështira, ku fëmijët e lindur në mërgim, kanë mundësi të kufizuara të shkollohen edhe në gjuhën e tyre. Vendet ku emigracioni shqiptar është me shumicë, nuk kanë të njëjtin nivel demokracie që të krijojnë me nismën e qeverive të tyre hapjen e mësimit shqip edhe në shkollat publike. Madje, fëmijëve të shkëlqyer në shkolla publike të huaja u mohohet e drejta për të parakaluar para nxënësve me flamur shqiptar. Dhe si zakonisht, klasa politike shqiptare e çdo kohe kujtohet për diasporën në dy momente: në momentin kur ka nevojë për mbështetjen e saj politike, siç është edhe procesi i votimit këtë vit, si dhe kur kthehen në atdhe e të investojnë paratë e fituara prej tyre në Shqipëri. Fjalët dhe thirrjet patriotike me këtë rast të shkrijnë zemrën. Vëmendja e institucioneve, për fat të keq, nuk është e përqendruar për gjetur zgjidhje, edhe për çështje që kanë të bëjnë me trashëgiminë gjuhësore të diasporës.

Nuk janë të paktë fëmijët që humbasin shqipen e të tjerë që e dinë vetëm sepse ajo përdoret në ambient familjar. Megjithatë, gjatë gjithë historisë, individi shqiptar, për fat të keq dhe për fatin e tij të mirë, i ka gjetur zgjidhjet e problemeve të mbijetesës qoftë kulturore, qoftë shpirtërore nëpërmjet përpjekjeve individuale apo edhe në grup të bashkëkombësve patriotë me zemër të madhe dhe jo nëpërmjet administratës qeverive mbarë. Shembulli më konkret është në diasporën e Greqisë dhe më konkretisht në qytetin e Athinës. Një grup prej nëntë zonjash të nderuara, me dëshirën dhe me madhështinë e shpirtit të tyre kanë dalë vullnetare dhe prej 6 viteve japin mësim pa u paguar për fëmijët e emigrantëve. Një shqiptare tjetër me zemër të madhe u ka vënë në dispozicion ambientet ku japin mësim, falas. Të gjitha emigrante, të larguara nga Shqipëria për shkaqe që dihen. Nëna fëmijësh, ato e sigurojnë jetesën e tyre me mundimin e punëve modeste që nga shitja në ndonjë dyqan e deri te pastrimet. Ato gjejnë kohën, forcën e duhur që të lenë punët e tyre e t’u dedikohen fëmijëve të emigrantëve.

Ato nuk janë në kushtet e martirëve të dikurshëm, por motivimi i tyre i brendshëm, jashtë përfitimit material për të kontribuar është i admirueshëm. Madje së fundmi, me përpjekjet e tyre, kanë arritur që mësimin ta kryejnë në shkollat publike greke gjatë fundjavës. Dhe këtë kontekst të mendosh pagesat marramendëse të personazheve aq të pranishëm në median shqiptare që na flasin për patriotizëm, apo që me dorën hipokrite në zemër nderojnë historinë e shqiptarëve, duke bërë potere në lloj-lloj mjetesh të propagandës. Në mesin e këtyre zonjave të nderuara patriote dhe me zemër të madhe militon edhe një zonjë nga Vokopola e Beratit me mbiemrin Dhaskali. Është e bija e Llambi Dhaskalit dhe stërmbesa e Llambi Nasi Dhaskalit. E diplomuar në shkollën pedagogjike, prej vitesh jeton e punon në shtetin fqinj, por me shembullin e saj dhe të shoqeve të saj tregon se të jesh mësues nuk është një diplomë, por është pasion. Në kushtet e tyre është më shumë se pasion, është patriotizëm pa zë, pa prozhektorë, pa zhurmë, por me zemër.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular