Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Partinë e Lirisë, Esmeralda Demiraj ka dhënë dorëheqjen nga Partia e Lirisë dhe nga postet që mbante pas 14 vitesh angazhimi në këtë forcë politike.
Esmeralda Demiraj në një postim në rrjete sociale shkruan se tashmë kishte ardhur koha për t’i dhënë fund këtij rrugëtimi në parti, ndërsa shprehet e hapur për mundësi të reja.
Ndër rreshta Demiraj lë të kuptohet se mosdakortësimi më funksionarët e kësaj partie, e kanë çuar në marrjen e ëktij vendimi, teksa shkruan se tashmë po kërkon për hapëria të reja ku “ku vlerësimi dhe respekti janë të ndërsjella, dhe ku meritokracia është parimi udhëheqës.”
Mesazhi i plotë
Të nderuar miq, mbështetës dhe simpatizantë që më keni shoqëruar në shumë beteja e sfida elektorale që prej anëtarësimit tim dhe angazhimit të hershëm në ish-LSI dhe Partinë e Lirisë sot,
Ndjej detyrimin moral të ndaj sot me ju vendimmarrjen time për dorëheqjen nga kjo parti, duke hequr dorë nga çdo funksion që kam mbajtur deri më sot, si:
1. Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Partinë e Lirisë për Shqipërinë,
2. Anëtare e Kryesisë së Partisë së Lirisë dhe e Kryesisë Ekzekutive,
3. Anëtare e Komitetit Drejtues Kombëtar,
4. Nënkryetare e Komisionit të Organizimit të Tiranës,
5. E deleguar politike në Njësinë Administrative Nr. 4, Tiranë, për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Gjatë 14 viteve të mia në parti, kam pasur privilegjin të kontribuoj në disa pozita kyçe dhe në fushata të ndryshme elektorale për zgjedhjet parlamentare (kandidate në vitin 2021) dhe zgjedhjet lokale (kandidate në vitin 2023). Angazhimi im ka pasur një qëllim të vetëm: të jem zëri i atyre që besuan tek unë, të përfaqësoj shqetësimet, shpresat dhe nevojat e qytetarëve me përkushtim dhe ndershmëri.
Si profesioniste e ligjit, kam mundur të jem një zë i fortë, veçanërisht për të drejtat e grave dhe vajzave, duke mbrojtur mundësitë dhe kushtet që duhet t’u ofrojmë atyre për t’u dhënë vendin dhe mbrojtjen që u takon në familje, shoqëri e kudo.
Besova fort se politika është një mjet për të sjellë ndryshim dhe për të mbrojtur interesat reale të qytetarëve. Megjithatë, kur kushtet nuk të lejojnë të bësh atë që ke premtuar, kur ndjen se nuk mund t’u shërbesh më njerëzve siç duhet, atëherë largimi bëhet zgjedhja më e drejtë dhe më e ndershme.
Ndjej se puna dhe kontributi në parti i secilit prej nesh duhet njohur dhe vlerësuar në mënyrën e duhur. Pasi kam pasur mundësi të reflektoj dhe analizoj, kam marrë vendimin se është koha për të ndaluar dhe për të kërkuar mundësi të tjera që më ofrojnë një mjedis ku vlerësimi dhe respekti janë të ndërsjella, dhe ku meritokracia është parimi udhëheqës.
Duke ju falenderuar nga zemra, me përulësi dhe mirënjohje të thellë, ju garantoj se misioni ynë i përbashkët nuk ka mbaruar. Unë kurrë nuk do të resht së besuari në vlerat dhe parimet që duhet të jenë pjesë e pandashme e politikës në vendin tonë. Kurrë nuk do të resht së besuari se e ardhmja i përket guximtarëve dhe vetëm shqiptarëve
E juaja,
Esmeralda Demiraj