Kombëtarja shqiptare ka përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, sepse nisin një kapitull tjetër, atë të kualifikueseve të Botërorit.
Një prej lojtarëve që shihet si pjesë kyçe e projektit kuqezi, është edhe Jasir Asani. Anësori nuk lëvizi nga Korea e Jugut dhe deri tani sezoni i ri për të po shkon shumë mirë. Ai po luan rregullisht me Guanzhunë dhe për më tepër po shënon në pothuajse çdo takim dhe diçka e tillë të jep një shpresë më shumë që Kombëtarja të befasojë në Angli, përpos forcës që kanë këta të fundit.
Asani është një nga të besuarit e Silvinjos, madje e ka dëshmuar këtë duke e aktivizuar nga fillimi edhe kur anësori ishte i dëmtuar dhe në këtë fushatë kualifikuese, futbollisti i Kombëtares duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Të gjithë duan të shohin Asanin fantastik të kualifikueseve të Europianit, ku me golat e tij bëri për vete të gjithë tifozët dhe një pjesë e madhe e meritës i takon atij për kualifikimin në atë turne.
Por, rënia që ai pësoi pas Europianit, nuk duhet të përsëritet më, nëse gjithmonë do të tentojmë diçka për Botërorin. Asani, përveç ndeshjes me Ukrainën, u “fsheh” nga rivalët dhe nuk la gjurmë në Ligën e Kombeve, edhe pse ishte titullar në çdo përballje.