HomePolitike"Prioritetet e mia për Dibrën", Albert Kojku: Koalicioni Euroatlantik – Një alternativë...

“Prioritetet e mia për Dibrën”, Albert Kojku: Koalicioni Euroatlantik – Një alternativë për të ardhmen

spot_img

Nga Albert Kojku
Të nderuar e të dashur bashkëqytetarë dibranë..!
Sot dal para jush, si kandidat për deputet, me përgjegjësi dhe përkushtim, si njeri që e do dhe e ndjen Dibrën me gjithë shpirt, me zemrën plot për të dhe për të ardhmen e saj.

Kjo nuk është një betejë personale, por një mision për të çuar përpara vlerat tona më të shenjta: besimin në Zot, familjen, arsimin, burimet dhe resurset e Dibrës, turizmin, bujqësinë dhe blegtorinë që kanë mbajtur gjallë këtë trevë për breza me radhë.

Një jetë në shërbim të arsimit, teknologjisë dhe dijes

Edukimi ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e angazhimit tim profesional. Kam punuar në arsim në role të ndryshme, si mësues, pedagog universitar dhe drejtues i sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, duke kontribuar në përmirësimin e sistemeve arsimore dhe sociale në vend.

Vazhdoj të jem pjesë e botës akademike si pedagog dhe kandidat për PhD në fushën e sigurisë kibernetike.

Besoj fort se edukimi, arsimimi cilësor dhe teknologjia janë çelësi i zhvillimit. Prandaj, dal para jush edhe me qëllimin e qartë për tiu përgjigjur me të gjitha mundësitë e mia edhe nevojës që ka Dibra për shkolla më të mira, kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit, qendra profesionale dhe teknologji bashkëkohore, në mënyrë që të rinjtë tanë të mos jenë të detyruar të largohen për të pasur një të ardhme më të mirë.

Ne duhet të lidhim arsimin me tregun e punës, të mbështesim degët që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të zonës dhe të krijojmë kushte që të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre këtu, në vendin e tyre.

Dibra mund dhe duhet të bëhet një qendër e arsimit profesional dhe e teknologjisë moderne, duke i hapur rrugën punësimit cilësor dhe inovacionit.

Gjithashtu, kam kontribuar dhe vazhdoj të kontribuoj në edukimin e brezave të rinj përmes aktiviteteve, veprimtarive dhe programeve dhe projekteteve arsimore, kulturore, edukative dhe shoqërore, duke i sjellë ato në kontakt me vlerat tona kombëtare dhe lokale.

Aktivitetet dhe veprimtaritë kulturore janë një mundësi e shkëlqyer për t’i mësuar fëmijëve dhe rinisë dibrane rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe angazhimit shoqëror, duke i forcuar ata për të kontribuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Resurset e Dibrës – nga pasuria e fjetur në motor zhvillimi

Dibrën e ka bekuar Zoti me pasuri natyrore dhe potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor. Bujqësia dhe blegtoria kanë qenë historikisht shtylla kryesore e ekonomisë dibrane, por sot fermerët dhe blegtorët tanë përballen me sfida të mëdha. Një ndër sfidat më të mëdha është mungesa e ujit për vaditje, ndërkohë që kemi pranë lumin Drin, por ende nuk kemi mundësi të shfrytëzojmë burimet e tij në mënyrë efikase për bujqësinë dhe blegtorinë.

Ne duhet të investojmë në infrastrukturën e ujit dhe të krijojmë mundësi që Drini të shfrytëzohet në mënyrë të qëndrueshme për vaditjen e tokave dhe zhvillimin e bujqësisë. Kjo është një mundësi që do të përmirësojë shumë jetën e fermerëve tanë dhe do të forcojë ekonominë e Dibrës gjë për të cilën unë premtoj angazhimin tim maksimal, parësor dhe qëndror.

Po ashtu premtoj angazhimin tim maksimal për mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët, subvencione për teknologji të reja dhe tregje të sigurta për produktet e tyre, i shtyrë nga siguria dhe bindja se krijimi i këtyre kushteve është një domosdoshmëri madhore për të nxitur zhvillimin e këtij sektori.

Për ata që më mbështesin, por edhe ata që janë të zhgënjyer..!

E di që mes jush ka njerëz që më kanë mbështetur gjithmonë, por që sot ndihen të zhgënjyer për përzgjedhjen time nga Koalicioni Euroatlantik. E di që politika shpesh ka lënduar besimin tuaj. Por dua ta them qartazi se unë nuk kam ndryshuar parimet e mia. Kam qenë gjithmonë i përkushtuar për të mbështetur ata që kanë ardhur para meje dhe kam qëndruar në ato vlera që besoj dhe janë pikërisht këto vlera mbi të cilat kam ndërtuar marrëdhëniet e mia me të gjithë njerëzinë dibrane të djathtë e të majtë.

Unë kam provuar në kurriz padrejtësinë, duke u larguar nga puna jo për mungesë aftësish, por sepse nuk bëra kompromise me parimet e mia. Por kjo nuk më ka bërë të ndalem, përkundrazi, më ka bërë më të vendosur që të luftoj për drejtësi, meritokraci dhe një politikë që i shërben qytetarëve dhe popullit tim.

Koalicioni Euroatlantik – Një alternativë për të ardhmen

Sot jam këtu si kandidat i Koalicionit Euroatlantik, që ka synimet e veta politike të deklaruara.

Unë besoj se Dibra ka vendin e saj në këtë vizion të madh dhe se ne mund të bëhemi model për zhvillimin dhe përparimin e kësaj krahine dhe këtij populli.

Prioritetet e mia në lidhje me interesat e Dibrës dhe të dibranëve.

Ju ftoj të më mbështesni me vullnetin dhe votën tuaj duke ju garantuar për sa më poshtë:

1- Dera ime dhe telefoni im do të jenë të hapura vazhdimisht e në çdo kohë për çdo qytetar dibran pavarësisht përkatësisë politike, dhe se hallet, nevojat dhe shqetësimet e këtij populli nuk do ta gjejnë asnjëherë të mbyllur derën time dhe telefonin tim.

2- Kapacitetet e mia, mundësitë e mia, titulli dhe statusi im do të jenë gjithmonë e vazhdimisht në shërbim të këtij populli e të kësaj krahine gjeografike kaq të rëndësishme për popullin dhe shtetin shqiptar.

3- Shfrytëzimin maksimal për përmirësimin e sektorit të arsimit duke e konkretizuar kontributin tim në sa vijon:

– Përmirësimin e infrastrukturës arsimore në aspektin teknologjik, logjistik, e didaktik.

– Puna për ringritjen e arsimit profesional dhe krijimin e hapësirave të reja të këtij arsimimi veçanërisht në fushën e turizmit dhe bujqësisë e blegtorisë.

– Ngritja e politikave konkrete për edukimin dhe vetëdijësimin e brezit të ri rikthimin e vëmendjes tek mësuesia duke e konsideruar si një domosdoshmëri madhore për zhvillimin e popullit shqiptar në këtë krahinë dhe në mbarë Shqipërinë.

3- Angazhim të plotë me të gjithë mundësitë e mia për krijimin e mundësive për shfrytëzimin e resurseve shumë të mëdha që ka ky vend për turizmin dhe hapësirat zhvillimore që krijon ky sektor në mënyrë të veçantë në shtimin e madh të vendeve të punës dhe ndikimin e madh që ka turizmi në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

4- Angazhim të drejtpërdrejtë me çështjen e sigurimit dhe përmirësimit të sistemit vaditës si problemin madhor me të cilin përballet sektori i bujqësisë në Dibër duke pasur parasysh resurset e pafundme ujore që ka Dibra.

5- Angazhim të drejtpërdrejtë për përmirësimin e gjendjes së sektorit të blegtorisë duke e konkretizuar kontributin tim tek:

– realizimi konkret i subvencione për këtë sektor.

– krijimi i hapësirave të reja, të brendshme dhe të jashtme, për tregtimin e produkteve të këtij sektori.

– Krijimi i urave të natyrshme të komunikimit mes sektorit të blegtorisë dhe atij të turizmit dhe të bujqësisë.

– Krijimi i një sistemi të plotë e të mirëstudiuar të marketimit të resurseve të të tre këtyre sektorëve, duke besuar fuqishëm tek roli i madh që do të ketë ky lloj marketimi në këto tre sektorë.

Theksoj se çka më sipër përbëjnë prioritetet e angazhimit tim të ardhshëm si deputet në parlamentin shqiptar, sepse unë besoj se nëse këtyre fushave iu kushtohet vëmendja e duhur dhe angazhimi i merituar zhvillimi i krahinës sonë është i garantuar me lejen e Zotit të Madh.

Faleminderit!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular