HomePolitikeMbi “Neomalsoren” Marjana Koçeku dhe politikat e vjetra/nga Mark Rupa

Mbi “Neomalsoren” Marjana Koçeku dhe politikat e vjetra/nga Mark Rupa

spot_img

nga Mark Rupa
Një vajzë e re ka vendosur me hy në politikë dhe me përfaqësu një komunitet që shpesh është përmendur, por rrallë është dëgjuar realisht. Në vend që me u diskutue për idetë e saj, shumë janë ndalur tek origjina, tek dialekti, madje edhe tek një kec që mban në krah. Nuk është hera e parë që shohim një reagim të tillë. Kur dikush nga malet del me ba diçka ndryshe, nuk matet me të njëjtat standarde si të tjerët; gjithmonë duhet me kalu një provë shtesë, me dëshmu më shumë se kushdo tjetër se e ka vendin aty ku është.

Marjana nuk ka kaluar vite duke u sjellë rreth partive apo duke ndërtuar lidhje në korridoret e politikës. Ajo nuk është nga ata që kanë folur shumë dhe kanë bërë pak. Përkundrazi, ka mbaruar studimet, ka ndërtuar një bujtinë, ka punuar me duar dhe mend, ka promovuar agroturizmin dhe është vlerësuar ndërkombëtarisht për këtë. Dhe kur dikush që ka arritur diçka me punën e tij kërkon me u përfaqësu, a nuk duhet me u pa kjo si një shenjë e shëndetshme për politikën shqiptare? Apo ende politika është një klub i mbyllur për ata që nuk burojnë nga e njëjta rrjedhë e vjetër?

Ka pasur edhe komente se Dukagjini nuk ka nevojë për përfaqësim të drejtpërdrejtë, sepse është “pjesë integrale e Shkodrës”. E kemi dëgjuar shpesh këtë logjikë në politikë: “Ne e dimë më mirë për ju, prisni, do kujdesemi ne.” Dhe çfarë ka ndodhur? Për shumë zona si e Alpeve tona, pritja ka zgjatur dekada dhe rezultatet kanë qenë të pakta.

A do të jetë Marjana Koçeku një deputete e mirë? Kjo është një pyetje që vetëm koha mundet me e tregu. Por një gjë është e qartë: ajo nuk është pjesë e politikës që për 30 vjet ka premtue shumë dhe ka ba pak. Dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, po flitet kaq shumë për të sot.

Sa për kecin në krah, nuk është një detaj i rastësishëm. Për dikë që është rritur në Dukagjin dhe e njeh mirë jetën aty, ai simbolizon, jetesën, thjeshtësinë, lidhjen me natyrën dhe rrënjët e forta. Për të tjerët, mund të lexohet si një mesazh i heshtur: me u kalitë në vështirësi nuk është dobësi, por forcë. Dhe këtë, koha do ta tregojë.

Jemi me fat që Shkodra nuk është njohur kurrë për përbuzje, por për qytetërimin, për familjet e mëdha, për mendjet e ndritura dhe për zemrën e madhe. Nuk duhet me e leju që debatet e ditës apo polemikat e kota me errësu këtë traditë. Historia e ka tregu se, në fund, ajo që mbetet nuk janë fjalët boshe, por veprat dhe njerëzit që kanë lënë gjurmë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular