Mediat e Maqedonisë së Veriut raportojnë se në mesin e 59 viktimave në tragjedinë e Koçanit janë edhe 5 anëtarë e grupit muzikor DNK.
Bëhet fjalë për Filip Stefanovski, Gjorgi Gjorgiev, Sara Projkovska dhe Andrej Gjorgievski, 4 anëtarët e grupit muzikor DNK si dhe fotografi i grupit Aleksandar Efremov humbën jetën në tragjedinë e mbrëmshme në diskotekën PULS në Koçan.
Lajmin e bënë të ditur anëtarë të grupit DNK të cilët, publikuan fotografitë e artistëve.
Dy prej anëtarëve iu nënshtruan plagëve në orët e pasdites.
Anëtarë të grupit si dhe shokët e të ndjerëve, përmes postimeve të tyre në rrjetet sociale, i dhanë lamtumirën miqve të tyre.
Në këtë ngjarje tragjike jetën humbi edhe futbollisti i Klubit Shkupi. Bëhet fjalë për Andrej Llazarovin.
Nga klubi i Shkupit në rrjetin social Facebook shkruajnë se kjo është një humbje e madhe për klubin dhe shokët e ekipit, ndërsa shtojnë se shoku i tyre, ka humbur jetën duke luftuar për të shpëtuar njerëzit që në momentin e zjarrit tentonin të largoheshin.
Ministri i Brendshëm, Pance Toshkovski, deklaroi se zjarri filloi kur u aktivizuan fishekzjarret rreth orës 2:30 të mëngjesit dhe flakët shpërthyen në të gjithë lokalin.
Siç tregon ai, shkëndijat goditën tavanin, i cili ishte bërë nga një material shumë i ndezshëm dhe zjarri u përhap. Sipas tij, tymi i dendur i mbyti disa nga viktimat dhe dogji të tjerët.
Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar në ndihmë me dhjetëra ambulanca nga Shkupi ndërkohë që u aktivizua për ndihmë edhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme.